Skënderbeu është personazh i ndërlikuar

Skënderbeu është personazh i ndërlikuar

Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ipeshkvia e Kosovës ka mbajtur aktivitetin e radhës teksa u promovuan tri libra për Skënderbeun.

Profesori arbëresh, Dr. Domenico Morelli, i cili lexoi edhe një kumtesë, tha se shënimi i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut është rast i duhur për të riaktualizuar kujtimin për të. Me këtë rast, ai tha se arbëreshët kanë dhënë kontribut në kulturën e shqiptarëve dhe atë italiane, e njëherësh deklaroi se arbëreshët e kanë ruajtur me fanatizëm për gjashtë shekuj me radhë lidhjen me shqiptarët.

“Kujtesa e Skënderbeut mbetet e gjallë ndër shekuj përmes kujtesës gojore dhe veprave të shkrimtarëve më të rëndësishme jo vetëm shqiptarë. Siç e dini, janë gati 400 edicione të veprave historike letrare që i kushtohen atij në gjithë Evropën. Popujt e kërcënuar e të shkelur, e ngjallnin sërish atë kujtim për t’u frymëzuar në mbrojtjen e vlerave të larta e të pavdekshme. Skënderbeu është personazh i ndërlikuar i përshkruar si kalorës i rrezikshëm nga armiqtë, por lartues e hero në luftën kundër otomanëve”, ka thënë Morelli. Kurse Don Dominik Qerimi, njëherësh drejtor i Shkollës “Don Bosko” në Gjilan, tha se Kishat katolike në Kosovë e në Shqipëri, nuk mund ta anashkalonin një ngjarje të tillë. Ai tha se këto aktivitete po e mbajnë gjallë një të kaluar të lavdishme, atë të periudhës së Skënderbeut, raporton KP.

“Nga institucione të ndryshme ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë aktivitete kulturore dhe shkencore, që po kontribuojnë për ta mbajtur të gjallë kujtimin e një të kaluare të lavdishme, duke kujtuar së bashku fjalët e Dostojevskit: Ne jemi xhuxhë që fluturojmë mbi krahët e gjigantëve”, ka thënë Qerimi.

Librat që u promovuan sot ishin “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut” me autor Alassandro Serra. “Bashkëbisedim midis Gjegj Kastriotit dhe Karlit të madh”, e autorit Lorenzo Ignacio Thjulen dhe një përzgjedhje studimesh e klerikëve katolikë, e titulluar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu – Atleta Christi”.

Në kuadër të këtij viti jubilar, Ipeshvia e Kosovës do të mbajë edhe aktivitete tjera në ditët në vazhdim.

(n.m/BalkanWeb)


Source link