Bëj më të mirën për ekipin dhe klubin…

Ernesto Valverde u shfaq në një konferencë shtypi vetëm disa minuta pas largimit të Dembele nga lista e skuadrës për ndeshjen e radhës në La Liga, kundër Betis, duke përfshirë në vend të tij Messin. Së pari, trajneri katalanas vlerësoi kthimin e Messit dhe Umtiti: “Ata na sjellin shumë gjëra”. Pastaj, ai iu përgjigj pyetjeve.

A ka dënim për Dembélé?
Jo. Secili mund ta interpretojë vendimin e marrë siç e sheh të arsyeshme. Ky është një ekip. Unë përpiqem të bëj më të mirën për ekipin dhe klubin tim.

A mund ta vendosni të ardhmen e tij në rrezik te Barça?
Unë nuk kam asgjë për të komentuar. Çështjet e brendshme janë të brendshme. Ajo që bëj unë është vlerësimi sportiv për atë që mendoj të jetë e mirë për ekipin. Pjesa tjetër është për një tjetër pyetje. Ne duam t’i ndihmojmë lojtarët që të jenë sa më të mirë. Dhe duam t’i ndihmojmë të gjithë.

Dembélé është një djalosh i ri. A është ky një mëkat rinor…?
Ne po flasim shumë për ata që nuk janë. Mendoj se duhet të flasim për ata që janë në listë për ndeshjen e radhës. Klubi ka bërë një investim të madh për të, presim të përfitojmë nga talenti i tij. Ne jemi një ekip dhe duhet të ecim përpara.

Në listë është Messi dhe Umtiti. A do të merrni përsipër rreziqe me ta?
Duhet ta kuptoni se të gjithë lojtarët që grumbullohen për një ndeshje mund të jenë titullarë. Fakti që ata janë pjesë e listës do të thotë se i plotësojnë kushtet edhe për të luajtur.

A mund të largohet Dembele në janar?
Në merkato duhet të përpiqeni të përforconi veten dhe të kërkoni më të mirët. Talenti i Dembele është i vështirë për t’u gjetur. Ai ka një talent të caktuar.

A duhet t’i vlerësojmë lojtarët për çmimin e tyre?
Lojtarët vlerësohen në bazë të asaj që japin në fushë. Njerëzit duan ta shohin aty sa vlen gjithkush.

A ka opsione aktivizimi për Malcom?
Kjo varet shumë nga performanca e lojtarit. Ai ka një qëndrim të mirë, por mendojmë se mund të mësojë akoma. Fakti se shënoi gol së fundi do t’i japë më shumë siguri.

Ç’po ndodh në të vërtetë me Dembele?
Ne duam që të gjithë lojtarët të jenë në ekip, për të dhënë versionin e tyre më të mirë, për të ndikuar në një mënyrë pozitive. Duam t’i ndihmojmë në këtë drejtim, ky është qëllimi. Ai ka një talent të pabesueshëm. Eshtë një lojtar i madh dhe presim shumë prej tij.

A do të kishit dashur që Vidal të qëndronte këtu dhe të mos shkonte te kombëtarja e Kilit?
Me këto pyetje ju gjithmonë keni dy pozicione. Ne e dimë motivimin që iu jep lojtarëve grumbullimi me kombëtaret. Eshtë tjetër diskutim pastaj, se ata duhet të bëjnë udhëtime të gjata.

Joachim Low tha se Ter Stegen ka një siklet në shpatull. A rrezikon për nesër?
Ne jemi duke u kujdesur për Marc në kohët e fundit, por ai është në dispozicion për nesër. Kuptohet, do të vazhdojmë të kujdesemi për të, edhe nëse nuk shkon te Gjermania.

Si do ta vlerësonit kthimin e Jordi Alba në ekipin kombëtar? A e keni parë atë të përmirësohet në këtë vit e gjysmë?
Mendoj se e kemi parë të përmirësohet çdo ditë. Ai është një lojtar shumë i përfshirë në grup, me ekipin. Fakti që rikthehet në kombëtare është një çmim i merituar. Ai e ka rifituar kombëtaren me punën e tij. Jam i gëzuar për të.

Si e keni parë Messin?
Ne do të shohim nesër nëse do të luajë apo jo. Por, tashmë e ka humbur frikën e dëmtimit, të përplasjes, të luftës dhe kjo është gjëja kryesore. E kam parë shumë mirë dhe është i sigurtë në vetvete.

A mund ta shpjegoni evolucionin e Lenglet?
Lojtarët që vijnë, veçanërisht këtu, duhet të mësohen me lojën e veçantë të ekipit. Për mbrojtësit nuk është e lehtë, sepse ne jemi një ekip, që luan me rrezikun. E dinim që në fillim se ai ka një nivel të lartë teknik dhe është gjithashtu i fortë në dyluftime, sidomos i fokusuar në lojë. Jemi të kënaqur me nivelin e tij profesional, por presim edhe më shumë.

Çfarë duhet të bëjë një futbollist për të treguar përkushtimin?
Epo, si çdo futbollist, të bëjë punën e tij. Të ketë angazhim të plotë në stërvitje dhe ndeshje.

 



Source link