Lajme nga Shqipëria

“Çështja CEZ”, Prokuroria kërkon kohë shtesë për hetimet

Dëshmia e biznesmenit kosovar Nue Kalaj mban peng hetimet për çështjen e shumëpërfolur CEZ. Përmes një letërporosie autoritetet kosovare informojnë Prokurorinë shqiptare se kërkimet policore për gjetjen e Kalajt nuk kanë dhënë rezultat.

Për këtë arsye nuk është bërë e mundur pyetja e tij për llogari të çështjes hetimore që po zhvillohet në Shqipëri. Megjithatë, institucionet kosovare shprehen se do të vijojnë kërkimet me shpresën për gjetjen e biznesmenit dhe pyetjen e tij.

Përderisa dëshmia e njeriut të cilësuar nga socialistët si sekser në procesin e privatizimit të OST nga çekët e CEZ, konsiderohet si provë kyce për t’i dhënë zgjidhje çështjes, prokuroria i ka duart e lidhura për të dalë në një vendimmarrje.

Ndaj për sa kohë afatet hetimore janë drejt fundit, institucioni i akuzës i është drejtuar gjykatës për të tretën herë me kërkesën për zgjatjen e tyre. Dy prokurorët kanë kërkuar edhe tre muaj shtesë, me shpresën se do të mund të realizohet pyetja e biznesmenit Kalaj.

Në këto kushte, hetimet për të ashtuquajturën si megaafera korruptive e privatizimit të OST në 2008, mbeten në vendnumëro dhe pa rezultat. Për këtë dosje prokuroria zhvilloi hetimet për një kohë të gjatë dhe në fund firmosi për mbylljen e saj.

Gjykata vendosi ta kthejë çështjen sërish nga e para me argumentin se hetimet ishin të cekëta dhe jo të plota. Për çështjen e privatimit të OST u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar, në përfundim të punës së të cilit socialistët deklaruan se procesi ishte fiktiv dhe fituesi i paracaktuar, ndërsa  buxhetit të shtetit i ishte shkaktuar një dëm me vlerë 414 milionë euro.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply