Eshtë më e vështirë ta mbrosh kreun, se sa ta arrish atë

Eshtë më e vështirë ta mbrosh kreun, se sa ta arrish atë

Skënder Gega ka pasur në krah mbrojtësin Labinot Ibrahimi kësaj here, në konferencën e radhës për shtyp, para ndeshjes me Laçin. Një nga veteranët e grupit të kuq po e shijon kreun e renditjes në këtë sezon dhe shpreson t’ia dalë mbanë më në fund, me fitimin e titullit te kryeqytetasit. Ndër të tjera, kosovari nënvizoi:

“Partizani i këtij sezoni ka ndryshime nga më parë. Kjo është normale, sepse kemi pasur shumë lëvizje. Profesor Gega me stafin e tij, presidenti dhe drejtori kanë bërë një punë jashtëzakonisht shumë të mirë. Kanë ndryshuar shumë gjëra për mirë në krahasim me edicionet e kaluara.

A jemi ne si mbrojtje nën presion, pasi po pësojmë gola? Mendoj se kemi një situatë psikologjike, por jo problem në vetvete. Skuadra mbron dhe sulmon në bllok, ndaj nuk duhet të ndalemi në kësi analizash. Me rëndësi është të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës. Po punojmë fort dhe po bëjmë një stërvitje të mirë. Besojmë se do ta kalojmë me sukses edhe Laçin.

Rikthehen tifozët? Ndryshimi i të luajturit me tifozë dhe pa ta është si nata me ditën. Më mirë ajo ndeshje me Kamzën të mos luhet fare, pasi futbolli luhet për tifozët. Ata i japin hijeshi futbollit dhe duhen më shumë se kurrë. Ne si kampionat kemi pak tifozë nëpër stadium dhe ata që vijnë po i largojmë. Duhet të kemi më shumë tifozë.

Rivali kryesor për titull? Janë të gjithë të barabartë, për mua, nuk veçoj asnjërin. Pozicioni im te Partizani? Trajneri më ka aktivizuar në role të ndryshme, për nevojat e skuadrës. Pozicioni im natyral është mbrojtës qendre, por unë i kam bërë të gjitha. Luaj aty ku i duhem Partizanit dhe e bëj këtë me shumë kënaqësi.

E bëj për ekipin, për shokët, për profesorin dhe për familjen e Partizanit. Vendi i parë? Kur arrin aty, natyrisht që ka presion. Për mua është më e vështirë ta mbash vendin e parë, se sa ta arrish atë. Uroj të mbetemi të parët me punën e madhe që po bëjmë.

Kundërsulmet e Laçit? E kemi studiuar këtë kundërshtar. Kemi punuar fort këtë javë. E kemi profesorin këtu, ai na këshillon dhe na e bën të ditur se cilat janë pikat e forta të Laçit. I kemi marrë të gjitha masat, vetëm duhet të jemi me këmbë në tokë. Besoj se do ta kalojmë me pikë të plota edhe këtë ndeshje”.



Source link