Për ne, Ronaldo është “Topi i Artë”

Për ne, Ronaldo është “Topi i Artë”

Nëse merren në konsideratë thashethemet, edhe ato mediatike, “Topi i Artë” i këtij viti do të fitohet nga Luka Modriç. Cristiano Ronaldo, megjithatë, dëshiron të tregojë në fushën e blertë se e meriton këtë trofe prestigjioz individual për herë të gjashtë në karrierë. Gola si ai ndaj Manchester United dhe paraqitje mbresëlënëse si ato të deritanishme me fanellën e re të Juventusit, shkojnë në këtë drejtim.

Në qoftë se deri në fitoren e finales së Champions-it të sezonit të kaluar, në Kiev, CR7 dhe Modric kanë udhëtuar në të njëjtën rrugë, që e çoi Real Madridin në triumfin e tretë radhazi në Europë (me Ronaldon, top-golashënuesin e konkurrencës, me 15 gola), nga qershori i këtij viti fatet janë ndarë. Luka Modric ka luajtur padyshim një Kupë Bote të shkëlqyer në Rusi, duke e udhëhequr Kroacinë deri në finale (humbi ndaj Francës).

Nga ana e tij, Ronaldo është ndaluar në raundin e dytë të Botërorit 2018, kundër Uruguajit (megjithatë, duke shënuar një “hat-trick” spektakolar ndaj Spanjës). Por, nga 10 korriku e tutje, mesfushori kroat është “zhdukur nga ekranet e radarëve”: 15 ndeshje, asnjë gol, 1 asist. Dikush mund të thotë se ky është derivat i situatës jo të mirë të krejt Real Madridit, i cili ndryshoi edhe trajnerin. Por, për torinezen “Tuttosport”, llogaritë bëhen përmes shifrave, jo në ajër.

Dhe për këtë, kroatit i vendos si antitezë numrat e Ronaldos nga 10 korriku e këtej: 14 ndeshje zyrtare, 8 gola (duke përfshirë tre kryeveprat ndaj Udinese, Empoli dhe Manchester United), 6 asiste. Falë tij, Juventusi është në krye të kampionatit italian dhe grupit përkatës të Ligës së Kampionëve me 13 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Nëse çmimi i “Topit të Artë” ka parasysh performancën e një futbollisti gjatë 12 muajve, Ronaldo e tejkalon në masë të madhe Modricin fenomenal.

 



Source link