Lajme nga Shqipëria

“Luarasi” pret pedagogen e njohur amerikane në leksionin e hapur

Universiteti “Luarasi” vijon traditën e leksioneve të hapura me ekspertët më të mirë. Ditën e djeshme, studentët e Fakultetit të Drejtësisë në këtë institucion elitar, patën mundësinë e artë të ndjekin leksionin e profesores së shquar të së drejtës kushtetuese, Judithanne McLauchlan, e cila është lektore në Universitetin e Floridës së Jugut.

Ajo u shpjegoi studentëve funksionimin e Gjykatës Supreme amerikane, e cila funksionon edhe si Gjykatë Kushtetuese. E themeluar në vitin 1790, gjykata supreme cilësohet si instanca më e lartë juridike në vend. Proceset gjyqësore kryesohen nga juria e shtetit, ku është kryer krimi dhe përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga presidenti, emërimi i tyre është i përjetshëm dhe kanë trajtim të barabartë me ministrat.

Leksioni
Pedagogia thotë se përsosja e sistemit të drejtësisë në vendin e saj nuk ka qenë aspak një rrugë e lehtë, por sot gjithkush e di që në çdo gjykatë amerikane, gjyqtari do ta trajtojë me drejtësi çështjen. Dhe kjo është e rëndësishme për demokracinë. “Ishte vërtet kënaqësi të isha këtu, në universitetin ‘Luarasi’ për të zhvilluar një leksion para studentëve të drejtësisë. U fola për Gjykatën Supreme amerikane dhe për proceset gjyqësore që zhvillohen atje, si dhe për shtetin e së drejtës dhe implementimin e legjislacionit në Shtetet e Bashkuara.

Me studentët diskutuam, shpresoj që t’i kem frymëzuar sadopak që dhe ata të japin maksimumin kur nesër të dalin nga bankat e shkollës dhe të kontribuojnë në fushën e drejtësisë. Ju e dini që ne e kemi zhvilluar sistemin tonë të drejtësisë për qindra vjet. Është shumë e rëndësishme që njerëzit në një demokraci të ndihen të sigurt në lidhje me institucionet e drejtësisë”, – tha Judithanne McLauchlan. Profesorja e njohur, e cila ka punuar në Gjykatën Supreme, por edhe në administratën “Klinton” shpreson gjithashtu që studentët të reflektojnë. “Unë shpresoj se studentët kanë reflektuar, duke mësuar më shumë për sistemin tonë të drejtësisë dhe shtetin e së drejtës, shpresoj që ata do të reflektojnë për sistemin në Shqipëri”, -tha pedagogia e së drejtës kushtetuese.

Tradita
Dy ditë më parë, universiteti “Luarasi” priti në auditorin e tij, avokaten e njohur shqiptare, aktualisht studiuese dhe pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Oksfordit, Rudina Jasini. Kjo e fundit është një ndër emrat më të njohur përsa u përket shumë çështjeve penale të së drejtës ndërkombëtare. Ekspertja e fushës së drejtësisë zgjodhi pikërisht universitetin “Luarasi” për të dhënë leksionin e saj të parë në vendin e origjinës. Jasini ka qenë pjesë e grupit të avokatëve në mbrojtje të kryeministrit Ramush Haradinaj në gjykatën ndërkombëtare në Hagë. Studentët e jurisprudencës në universitetin “Luarasi” shumë shpejt do të jenë avokatë, gjyqtarë dhe prokurorë. Pedagogia shqiptare e Oksfordit iu sugjeron atyre të mos reshtin duke kërkuar të drejtat e veta. “Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua të mbaja leksionin e parë në Shqipëri apo para studentëve. Kam pasur mundësinë të mbaj ligjërata të tjera edhe në vende të ndryshme të botës. Besoj se kurioziteti, interesi apo dhe dëshira e motivimi që këta studentë kanë për të avancuar në fushën e dijes, ishte ajo që mua më ka bërë më shumë përshtypje në universitetin ‘Luarasi’”, – thotë Jasini./gsh.al

BalkanWeb

 

 


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply

/* ]]> */