Lajme nga Kosova

Analistët: Grabitjet e armatosura, me viktima, lënë gjurmë në kujtesën kolektive

Rastet e ditëve të fundit, që kanë të bëjnë me krime të rënda të grabitjeve, me ç’rast pati edhe viktima, ku tre persona humbën jetën brenda një muaji, sipas analistëve nuk paraqesin panik apo rrezik për sigurinë e përgjithshme të qytetarëve, por lënë gjurmë të thellë në kujtesën kolektive të shoqërisë.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk ka kurrfarë shenje apo ndonjë indikacion që shoqëria të jetë në panik apo të frikësohen për sigurinë e brendshme.

Musliu tregoi se kriminelët që vijnë nga perëndimi, këtë lloj krimi e kanë ushtruar nëpër këto vende.

“Ky është një fenomen, i cili thjesht ka ndodhur në Kosovë dekadën e fundit. Një nga elementet janë kriminelët që vijnë nga perëndimi dhe e kanë ushtruar këtë lloj krimi, të dënuar dhe janë deportuar. Shoqëria kosovare nuk ka qenë e gatshme për këtë lloj krimi dhe grabitje me armë.  Sidomos dy vitet e fundit ka ndodhur në qendër grabitje të qendrave afariste, bankave etj”, ka thënë ai.

Sipas tij, liria e plotë e qytetarëve të Kosovës nuk është  e rrezikuar apo e cenuar.

“Secili duhet ta bëj punën e vet, policia, gjyqësori që këta kriminel mos të lihen të lirë dhe të bëjnë punën e tyre. Institucionet përkatëse duhet të investojnë më shumë në polici. Policët duhet të kenë pajisje, të trajnohen, të rritet numri i policëve dhe ngritjen e përgjithshme profesionale”,ka thënë Musliu.

Ndërsa sociologu Artan Muhaxhiri, u shpreh se ngjarjet e këtilla janë traumatike.

Muhaxhiri theksoi se këto shkaktojnë çrregullim brutal të rutinës në jetën e përditshme dhe lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive.

“Vrasja e dy individëve në hapësirë publike të një vendi pa nivel të lartë të krimit, si Istogu, është tragjedi me fuqi të jashtëzakonshme simbolike. Ajo shndërrohet në inspirim diskursiv për legjendë urbane dhe transmetohet prej gjeneratës në gjeneratë, duke u ndryshuar me kalimin e kohës në variacione të cilave u shtohen ose hiqen detaje. Fakti se Izet Demaj kishte bagazh të luftëtarit të lirisë dhe u vra në detyrë duke e parandaluar krimin bëhet dimension i veçantë i rrëfimit mbi parimet morale dhe vazhdimësinë e përkushtimit për të mirën e përgjithshme deri në sakrificën sublime”, vlerësoi ai.

Ndryshe, në mesnatën e 27 nëntorit në oborrin e një shtëpie në Veternik të Prishtinës, në tentim për të vjedhur,  një person është vrarë nga pronari i shtëpisë.

Ndërsa, të enjten gjatë një përballjeje me grabitësin e një banke në Istog është vrarë polici i Policisë së Kosovës, Izet Demaj dhe plaçkitësi. /Telegrafi/


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply

/* ]]> */