Opinione

Kur Ezopët e gazetarisë kosovare e sajojnë një lajm

Meqë po rreni – rreni bile mirë: shkruani se një gazetë zvicerane e ka shpallur Hashim Thaçin «mbret të botës». Bile të qeshim pak! Sepse me të vërtetën nuk ka të bëjë asgjë lajmi se kinse gazeta «Blick» e ka shpallur Hashim Thaçin njërin prej liderëve më të fuqishëm në botë.

 

Résultat de recherche d'images pour "ENVER ROBELLI"Shkruan Enver ROBELLI

Sot, gjatë tërë ditës, portale të Kosovës kanë përhapur «lajmin» se një gazetë zvicerane («Blick») e paskësh futur Hashim Thaçin në mesin e nëntë liderëve më të fuqishëm të botës. Domethënë Maximo Líderi kosovar në një ligë me Trumpin, Merkel, Macron, May…?

Ky është një lajm i rrejshëm. Pafundësisht i rrejshëm. Meqë këtë rrenë sonte e shpërndau edhe i ashtuquajturi televizion publik (i PDK-së dhe Hashim Thaçit), duhet sqaruar: «Blick» ka bërë një listë me nëntë figura politike që në vitin 2019 do të kenë sfida, probleme, vështirësi dhe nuk dihet si do t’i menaxhojnë krizat që i kanë shkaktuar apo telashet që kanë nxitur. Këtë e thotë edhe titulli: «Brisantes 2019 für 9 Köpfe». Një vit eksplodues (ose i vështirë) për 9 koka. Trumpi do të ketë probleme me hetues, një kolumunist i njohur i «The New York» u bëri thirrje edhe republikanëve të mendojnë për shkarkimin e Trumpit. «Blick» spekulon se Merkel mund të largohet nga posti i kancelares në vjeshtë, nëse në zgjedhjet për Parlamentin Europian pëson debakël. Theresa May mund të dështojë me planin e saj të Brexitit. Për Emmanuel Macronin, presidentin e Francës, gazeta zvicerane në stilin e saj bulevardesk shkruan se prej një talenti të natyrshëm është bërë diletant. Andaj parashihet se do të ketë vështirësi edhe në vitin 2019. Për Vladimir Putinin thuhet se do të ketë mjaft punë në planin e brendshëm, sepse edhe rusët nuk po argëtohen me aksione të shërbimeve të Kremlinit nëpër botë dhe me sulme kibernetike.

Një personalitet tjetër në këtë listë është Mohamed Bin Salman, princi trashëgimtar i Arabisë Saudite, i cili, sipas «Blick», nga një bartës shpresash u bë përbindësh, pasi që dyshohet se qëndron pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Në listë është futur edhe kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, e cila do të marrë kryesimin e BE-së më 1 janar. Por, «Blick» thotë se Dancila më mirë të heq plehun në shtëpinë e saj, pra të luftojë korrupsionin masiv. Tani i vjen radha edhe Hashim Thaçit, kryetarit të Kosovës. «Blick» thotë se ai duhet ta pengojë një konflikt të ri në Ballkan, por këtë vit, sipas gazetës zvicerane, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar. «Blick» e di se ka dështuar shkëmbimi i territoreve, sepse një takim në Bruksel mes presidentit serb dhe atij kosovar dështoi. Vërtet një takim dështoi dhe disa të tjerë u realizuan, por me këso detaje të mërzitshme ballkanike «Blick» nuk merret. Gazeta po ashtu njofton se në dhjetor Thaçi paralajmëroi themelimin e ushtrisë dhe Serbia u zemërua shumë. Në të vërtetë Thaçi në projektin e themelimit të ushtrisë muajve të fundit ka qenë më shumë pengues, sepse frikësohej se meritat do t’i shkonin Ramush Haradinajt. Por, edhe kjo është shumë e komplikuar për «Blick».

Çka është e komplikuar për «Blick», edhe më e pakuptueshme është për Ezopët e gazetarisë kosovare, të cilët profesionin e gazetarit e kanë ngatërruar me atë të përrallëtarit. Por, nuk bëhet fjalë këtu për përrallëtarë atraktivë, por për propagandistë të shfrenuar, të tillë që nuk njohin e nuk respektojnë më asnjë rregull, asnjë rend etik, asnjë normë profesionale, asgjë. Andaj, meqë po rreni – rreni bile mirë: shkruani se një gazetë zvicerane e ka shpallur Hashim Thaçin «mbret të botës». Bile të qeshim pak! Sepse me të vërtetën nuk ka të bëjë asgjë lajmi se kinse gazeta «Blick» e ka shpallur Hashim Thaçin njërin prej liderëve më të fuqishëm në botë.


Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply

/* ]]> */