Lajme nga Shqipëria

Një ndalesë, një kontroll

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe homologu i tij kosovar Ekrem Mustafa, në prani të Kryeministrit të Kosovës Haradinaj, nënshkruan sot një marrëveshje në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Kjo marrëveshje krijon mundësitë që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”.

Në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm shqiptar, Sandër Lleshaj e konsideroi të një rëndësie të veçantë këtë marrëveshje.

“Me këtë marrëveshje, ne e ulim me 50% kohën e pritjes, është një ulje e konsiderueshme, e cila na tregon se me vullnet bëhen gjëra të mira dhe të mëdha, por sigurisht që objektivi është për ta çuar në zero kohën e pritjes dhe ne po punojmë së bashku me ekipet e të dy Ministrive, për ta reduktuar së shpejti kohën e pritjes në zero, pra për ta eliminuar plotësisht kontrollin në kufirin tonë të përbashkët”.

Lleshaj tha më tej se po punohet që “së shpejti të ndërtojmë të gjithë mekanizmat e duhur për të ofruar liri të plotë lëvizjeje dhe siguri të plotë. Dhe besoj që ky është vetëm një hap”.

“Hapi tjetër së shpejti është pra, shumë shpejt besoj, ne do të jemi në gjendje që qeverive t’u ofrojmë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, e cila do të çojë në eliminimin e plotë të këtyre kontrolleve në kufirin tonë, pa cenuar aspak sigurinë. Është një hap drejt vendosjes së standardeve të mirëfillta evropiane në kufirin tonë, ashtu siç i ndeshim në të gjithë kufijtë e sotëm të Evropës ku ne synojmë të anëtarësohemi”, tha Ministri Lleshaj./tvklan.al


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply