Lajme nga Kosova

Sirianët, azilkërkuesit kryesorë në Kosovë

Siria vazhdon të jetë vendi që kryeson në listën e azilkërkuesve në Kosovë.

Vetëm gjatë muajit nëntor, Qendra për Azil në Magure të Lipjanit, kishte 17 azilkërkues nga Siria, ndërkaq gjatë gjithë vitit kishte pranuar 196 të tillë.

Zyra për Komunikim Publik në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se një azilkërkues për një ditë, buxhetit të Kosovës, mund t’i kushtojë rreth 19-20 euro.

“Nëse një OJQ i mbështet azilkërkuesit me pako higjienike, veshmbathje, medikamente etj., një azilkërkues buxhetit të Kosovës i kushton më lirë”, thuhet në përgjigjen nga MPB.

Në vitin 2017 Kosova ka pranuar 147 kërkesa për azil, ndërkaq gjatë këtij viti numri i azilkërkuesve arrin në 455.

Sipas të dhënave nga kjo qendër, përveç Sirisë, kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare kanë kërkuar edhe shtetas të Turqisë, Palestinës, Pakistanit, Irakut, Algjerisë, Afrikës së Jugut, Tunizisë, Maqedonisë, Shqipërisë e disa shteteve të vogla.

Gjatë vitit 2018, kjo qendër ka pranuar 50 gra dhe 405 burra. Numri i familjeve ka arritur në 29.

Sipas Ligjit për Azil, mbrojtja ndërkombëtare apo azili u jepet atyre që në vendet e origjinës kanë luftë, persekutohen për shkak të bindjeve politike, përkatësisë së grupit të caktuar shoqëror, përkatësisë etnike, fetare ose racore.

Udhëheqësi i qendrës, Fitim Zariqi tha për JnK se sirianëve nuk u refuzohet kërkesa për azil dhe arsye kryesore është lufta që po zhvillohet atje.

Ai tregoi që procedura për azil zgjat gjashtë deri në nëntë muaj, fazë e cila shërben për intervista dhe verifikim të aplikuesve sepse Zariqi tha se ka raste kur thonë që janë nga Siria por gjatë verifikimit nuk rezultojnë të jenë.

Rrugët apo vendet që zakonisht po përdorin këta azilkërkues, sipas Zariqit, janë Turqia, Greqia dhe Shqipëria, por ai tutje tregon që shumë prej tyre Kosovën e përdorin si vend transit për të kaluar në Gjermani, Austri apo Zvicër sepse mesatarja e ditëve që qëndrojnë është 33-34.

“Shumica nga ta e lëshojnë qendrën për azil dhe sipas mandatit që ka qendra sepse kuptohet qendra për azil është e hapur. Prej orës 7 deri në orën 22 në mbrëmje ata janë të lirë që të lëvizin, të hyjnë dhe të dalin nga qendra. Dhe në rast se nuk kthehen në orën 22 atëherë sipas mandatit qendra e njofton policinë që personi nuk është kthyer në qendër dhe nuk dihet vendndodhja e tij”, ka thënë Zariqi.

Periudha më e gjatë kohore e qëndrimit të këtyre azilkërkuesve është dy deri në tri vite, thotë drejtori i qendrës.

Përveç aplikuesve për azil nga Siria, Zariqi tregoi që këtë vit të shumtë në numër janë edhe ata nga Turqia të cilët numërojnë gjithsej 76. Ai tregoi që pothuajse të gjithë banojnë privat sepse kryesisht janë të punësuar në shkolla private në Kosovë.

“Në procedurë të intervistimit sipas tyre, jemi larguar sepse për shkak se nuk jemi të sigurt e mund të përndjekemi politikisht. Ata kanë qenë me leje qëndrim dhe pastaj kanë parashtruar kërkesë për azil meqë ata shprehen se mund t’iu rrezikohet jeta nëse kthehen në vendin e origjinës”, ka thënë Zariqi.

Udhëheqësi i qendrës tregoi që ka edhe azilkërkues nga rajoni që aplikojnë për këtë të drejtë në Kosovë me arsyetimin se nuk ndjehen të sigurt në vendin e tyre.

Azilkërkuesit pranojnë një asistencë sociale prej 50 eurove në muaj për individ dhe 75 euro për familje me mundësi rritjeje deri në 125 euro nëse kanë anëtarë më shumë.

Kjo qendër u ofron shërbime si akomodimi, veshmbathja, pako higjienike, ushqimi, shërbime juridike, shërbime psiko-sociale, kurse të kompjuterëve dhe të gjuhës shqipe.

“Sipas vlerësimeve që japin ekspertët fakt mbledhës që vijnë në Kosovë, qendra për azil trajtohet si njëra ndër qendrat më të mira në rajon. Pra i trajton sipas standardit dhe sipas ligjit të gjithë aplikuesit për mbrojtje ndërkombëtare.”, vazhdoi tutje drejtori i qendrës.

Zariqi gjithashtu tha për Gazetën Jeta në Kosovë se azilkërkuesit që janë përdorues të drogave, zakonisht shkaktojnë telashe në këtë qendër, prandaj kur janë të dhunshëm detyrohen që ta njoftojnë policinë.

Por edhe konfrontimi me gjuhë dhe kulturë tjetër, e veçanërisht ata të sekteve të ndryshme të besimit islam shpeshherë shkaktojnë probleme mes vete sepse i vërejnë këto dallime sa herë që e frekuentojnë xhaminë që kemi afër, thotë drejtori.

“Shpeshherë fillon konflikti duke u bazuar në sekte fetare dhe pastaj shkon deri në eskalim dhe duhet të ndërhyjë edhe sigurimi dhe e thërrasim policinë. Ka raste p.sh. kur dikush mendon që duhet me u falë ndryshe, ai tjetri mendon se duhet ndryshe, dikush beson ma ndryshe edhe kryesisht ndodh kur janë duke u ushqyer në mensën e qendrës.”, thekson Zarqi.

Në mensën e Qendrës për Azil, ushqimi shërbehet tre herë në ditë. Ndërkaq sa i përket sigurisë, qendra ka gjithsej 13 roje.

Njëra ndër sfidat me të cilat përballet kjo qendër është edhe gjuha. Drejtori tha se nuk mundemi të sigurojmë një përkthyes rezident të vetëm një gjuhe sepse p.sh. një periudhë kohore nevojitet përkthyes i gjuhës urdu ose farsi, pastaj në një tjetër ajo arabe.

“Shumica prej tyre nuk flasin anglisht, flasin poashtu, urdu, farsi, janë gjuhë të rralla që është problem edhe të sigurohet përkthyes. Megjithatë përmes një kontrate që ka MPB gjejmë përkthyes por edhe UNHCR na ndihmon në këtë drejtim”, tha ai.

Punëtori social Kastriot Dodaj, i cili vjen nga organizata “Jesuit Refugee Service” ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se kanë filluar të bashkëpunojnë me këtë qendër që nga hapja e saj me 6 shkurt të vitit 2012, duke ofruar shërbime psiko-sociale, edukim, trajnim dhe ndihmë emergjente.

“Te shërbimet psiko-sociale na e ofrojmë psikologun. Ndihma emergjente i përfshin të gjitha, barnat, higjienën pastaj në edukim dhe trajnim pajisjet sportive, veshmbathje. Organizata funksionon në bazë të donacioneve.”, ka thënë Dodaj.

Sociologu i qendrës, Ismajl Musa tha për gazetën se nga të gjitha shtetet që vijnë azilkërkuesit, ata nga Siria janë kryesisht të shkolluar, disa nga profesionet në të cilat kanë hasur janë psikologë, ekspert të teknologjisë së informacionit, gjuhëtarë, e kështu me radhë.

Biblioteka ku azilkërkuesit mund të qëndrojnë për të lexuar dhe për të mbajtur kursin e gjuhës shqipe dhe atë të informatikës qëndron e hapur që nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 16:00.

Drejtori gjithashtu tregoi që kanë ndarë edhe një dhomë ku mund të luajnë fëmijët dhe se tashmë kanë filluar me procedurat e regjistrimit të tyre në shkollë, edhe pse siç tregon Zariqi ka raste që sapo t’i regjistrojnë ata largohen ilegalisht nga Kosova.

Në njërën prej dhomave që vizituam ishin gjashtë shtretër dhe sipas drejtorit, numri i madh i tyre në një dhomë të vetme është për shkak se ka raste kur numri i anëtarëve të një familje arrin deri në 12 dhe se ata nuk pranojnë që të ndahen në dhoma.

Përveç policisë së Imigracionit, Zariqi tregoi që ka raste kur shtetasit e huaj nuk i dorëzohen policisë por vijnë para dyerve të qendrës për të kërkuar azil dhe sipas informacioneve që ka marrë nga ta, këtë e arrijnë duke përdorur telefonat e mençur.

Qendra për Azil në Magure të Lipjanit sipas drejtorit të saj, Fitim Zariqit, ka kapacitet që të strehojë deri në 100 aplikues për mbrojtje ndërkombëtare. Por në rast se ka fluks të tyre, atëherë ai tregoi që MPB ka disa objekte që mund t’i përdorin për akomodimin e aplikuesve.

“Janë dy objekte në Vranidoll që kanë kapacitet për 200 aplikues për mbrojtje ndërkombëtare. Pastaj në rast se edhe ai kapacitet tejkalohet atëherë aktivizohet plani tjetër që është kampi Bellvedere në Mitrovicë që ka kapacitet për akomodimin e 2200 personave. Në rast se edhe ai kapacitet tejkalohet atëherë aktivizohet edhe plani tjetër që është kampi Amiku në Gjakovë që ka kapacitet për akomodimin deri në 600 aplikues. Që në total i bie që Kosova ka kapacitet që të strehojë rreth 3 mijë aplikues.”, përfundon ai.

Kjo qendër aktualisht ka katër të punësuar si zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka punëtorët e sigurimit përmes kompanive private, të pastrimit dhe mirëmbajtjes.

Shërbimet juridike ofrohen përmes CRPK-së (Programi për të drejtat civile-Kosovë) e cila është organizatë e kontraktuar nga UNHCR, si dhe JRS që ndihmon azilkërkuesit për pako higjienike, veshmbathje e kështu me radhë.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply