Lajme nga Kosova

Krasniqi: PSD nuk bëhet pjesë e qeverisë ku është PDK-ja

Partia Socialdemokrate (PSD) së fundmi i është bashkuar ekipit shtetëror të dialogut me Serbinë. Kjo parti ka votuar në parim edhe Projekt-buxhetin për vitin 2019-të. E këto veprime ata i bënë  në këmbim të plotësimit të pesë kushteve drejtuar kryeministrit të vendit, Ramush Haradinajt.

Pa këtij bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës, u shtuan zërat se PSD-ja mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës.

Por, këtë po e mohon deputeti i kësaj partie, Frashër Krasniqi.

Ai ka thënë se PSD-ja nuk do të jetë pjesë në një Qeveri e cila sipas tij, i ka shkaktuar dëme Kosovës dhe në një Qeveri ku është PDK-ja.

“PSD-ja nuk do të jetë pjesëmarrëse në një Qeveri ku është Partia Demokratike e Kosovës. Këtë qëndrim e kemi të qartë, jo pse kemi inate partiake apo personale, por për shkak të dëmeve që i janë shkaktuar Kosovës në dhjetë vitet e fundit. PDK-ja fillimisht duhet të shkojë në opozitë. Ne nuk do të bëhemi pjesë e Qeverisë, këtë e kemi thënë prej fillimit, deri sot nuk jemi bë dhe nuk do të bëhemi as pas një viti pa u ndërruar kjo qeverisje ku PDK-ja nuk do të ishte pjesë”, tha Krasniqi, për Ekonomia Online.

Ai i është kundërpërgjigjur Vetëvendosjes në lidhje me akuzat që këta të fundit ia bënë PSD-së duke thënë se mandatet i kanë siguruar sa ishin në Vetëvendosje.

Krasniqi ka thënë se ata nuk reaguan atëherë kur deputeti Ismail Kurteshi kaloi nga PDK-ja në VV.

“E vërteta në këtë mes është që Vetëvendosje nuk e ka thënë të njëjtën gjë edhe për PDK-në ose për ndonjë anëtar qoftë të PDK-së, qoftë të dikujt tjetër që ka kaluar në VV, pse atëherë nuk e kanë thënë të njëjtën edhe për Ismajl Kurteshin që ka kaluar prej PDK-së në VV sa ka qenë deputet. Atëherë nuk paska qenë vjedhje, tash qenka vjedhje e mandatit. Këto nivele të diskutimeve unë nuk jam i interesuar me ra, a ka qenë vjedhje a jo do ta marrim vesh në zgjedhjet e ardhshme. Subjektet opozitare t’i lënë anash këto nivele të ulëta diskutimi dhe të bëhen bashkë sepse është shans që opozita me qenë faktori kyç dhe vendimmarrës në krejt procesin e dialogut”, tha Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online.

Krasniqi ka folur edhe në lidhje me akuzat se PSD-ja po i bënë shërbim Presidentit të vendit, Hashim Thaçit.

Ai tha se PSD-ja ka arrit me i bë disa gjëra që nuk kanë arrit t’i bëjnë subjektet opozitare edhe pse i kanë kërkuar gjatë gjithë kohës. Këtu ai ka përmendur kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

“PSD qysh e ka thënë edhe më herët, e ka propozuar një Projektligj i cili shumë shpejtë do të vijë në kuvend, i cili procesin e negociatave e merr prej një personi dhe e qet tek kuvendi. Nëse kjo nënkupton me i bë një shërbim presidentit, atëherë ne nuk e di çfarë shërbimi i kemi bë ne duke ia kufizuar mandatin e tij. Negociata është ajo që e kemi bë ne, të cilën e kanë kërkuar edhe dy subjekte më herët e që ka të bëjë me udhëheqjen e dialogut nga kuvendi. Në qoftëse për inate partiake ata refuzojnë që ta pranojnë një fakt të tillë, ne nuk kemi çfarë i bëjmë”, tha Krasniqi.

Ai ka përmendur një nga një kërkesat që i kanë bërë vazhdimisht LDK-ja dhe VV-ja, e që asnjëherë nuk kanë arritur ti realizojnë.

“Kanë kërkuar miratimin më të shpejtë për Ligjin për paga,ne e bëmë. Kanë kërkuar zvogëlimin e numrave të zëvendësministrave ne po e bëjmë. Do të ketë nga dy zëvendësministra për secilën ministri dhe krejt këto i ka bë PSD-ja përmes kushtëzimit që ia ka bërë Qeverisë që nëse ata duanë ta bëjnë buxhetin është dashtë me i pranu kushtet e PSD-së. Kanë kërkuar dialogun me marrë Kuvendi dhe ne e kemi bë. Kanë kërkuar që Kosova të ketë platformë shtetërore dhe ne e kemi bë , tha Krasniqi.

Ai është pyetur edhe për mesazhet që kanë qarkulluar në medie gjatë një bisede me tij dhe deputetit, Dardan Molliqaj.

Për këtë ai pati një shpjegim. Tha se nuk e ka ndërmend të largohet nga politika dhe as nga PSD-ja.

“Jo aspak, ai mesazh është keqkuptuar komplet. E kam një thirrje për mediet të cilat na incizojnë nga lartë, që të na incizojnë nga fillimi i bisedës deri në fund. Aty nuk ka asnjë për të fshehur, ai ka qenë një mesazh nga një anëtar i PSD-së të cilin ma ka dërguar mua, më pastaj të njëjtin mesazh ia kam përcjellë Dardan Molliqajt, për ta informuar se çfarë po thotë ai anëtar. Aty shihet edhe emri i atij anëtari të cilin kanë mundur ta shohin edhe mediet, por ka pas publikim tendencioz. Aspak nuk jam duke u larguar nga PSD-ja e as nga politika. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e PSD-së”, ka thënë Krasniqi.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply