Lajme nga Maqedonia

Ligji i gjuhëve gjatë javës publikohet në Gazetën Zyrtare

Një vit pas miratimit të tij në Kuvend, ligji për përdorimin e gjuhëve më në fund pritet të fuqizohet, duke u shpallur në Gazetën Zyrtare edhe pa nënshkrimin e kryetarit Gjorge Ivanov. Këtë e bëri të ditur për Alsat zv.kryeministri Bujar Osmani duke theksuar se do të respektohen procedurat ligjore.

“Ishte një rastësi e mirë që në të njëjtën datë, më 11 janar u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve, më 11 janar edhe ndryshimet kushtetuese. Por ajo që është edhe më e bukur, është se presim që javën e ardhshme, kryetari i parlamentit të zyrtarizojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, krejtësisht kjo në kuadër të ligjit dhe kushtetutës me çka edhe fillon zbatimi zyrtar i shqipes në institucionet qendrore, në tërë vertikalen e institucioneve shtetërore. Natyrisht këtu fillojnë edhe sfidat ëpr një zbatim të saktë, gjithëpërfshirës dhe zbatim të një gjuhe standarde”, pohoi Bujar Osmani, zv.kryeministër për Çështje Evropiane.

Nga kabineti i kreut të Kuvendit Talat Xhaferi nuk arritëm të sigurojmë një përgjigje, megjithatë Xhaferi në vazhdimësi kishte paralajmëruar publikimin në Gazetën Zyrtare të ligjit për gjuhët dhe ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, edhe pse kryetari Gjorge Ivanov ka refuzuar t’i dekretojë.

“Unë ju kam thënë që unë nuk vuaj nga afatet për faktin që nuk jam i ngushtuar nga afatet dhe është çështje e vlerësimit tim se kur është momenti për me e nënshkruar dhe me dërguar ligjin për gjuhët së bashku me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në Gazetën zyrtare”pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ligji për gjuhët u miratua më 11 janar të vitit të kaluar në situatë të tensionuar mes deputetëve. Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota për, Ivanovi nuk e dekretoi me arsyetimin se i ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se është sjellë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Sipas procedurës, ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Pavarësisht kësaj, Ivanovi ka vazhduar të mos e nënshkruaj Ligjin për përdorimin e gjuhëve./alsat/


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply