Lajme nga Maqedonia

Mungon regjistri për personat me nevoja të veçanta

Në Maqedoni ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i personave me nevoja të posaçme. Por, për fëmijët e kësaj kategorie nga ky vit dyfishohet numri i asistentëve, të cilët ndihmojnë nxënësit me aftësi të kufizuara nëpër shkolla. Në 34 komuna të vendit do të angazhohen 300 asistentë. Sipas Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale janë hapur edhe shtatë qendra për trajtimin e kësaj kategorie të qytetarëve. Përveç asistencës personale janë parashikuar edhe një sërë masash të tjera për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

 Asistencë personale për ndihmë në shtëpi. Rritje të pagës 50% nga paga mesatare në vend dhe shkurtim të orarit të punës, për prindërit, të cilët kujdesen për fëmijët e tyre me nevoja të posaçme. Ndihmë në të holla për prindërit e pa punë dhe pa pension, të cilët kujdesen për fëmijët me nevoja të posaçme deri në moshën 26 vjeçare, pa i vendosur të njëjtit nëpër institucionet e kujdesit.”  -thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

Ministrja Mila Carovska thotë se edhe të rriturit, të cilët janë me nevoja të posaçme, duhet të kenë ndihmë përkatëse, por për t’i ndihmuar në mënyrën e duhur fillimisht do të duhet të dihet numri i saktë i tyre.

 Në Maqedoni ende nuk ekziston një regjistër. Ajo që ne përpiqemi është që sistemet e shëndetësisë, arsimit dhe Ministrisë së Punës e Politikës Sociale t’i ndërlidhim në formë elektronike dhe t’i shohim statistikat e të gjithë njerëzve, të cilët janë të evidentuar diku në sistem. A janë në sigurimin shëndetësorë a marrin ndihmë nga ministria jonë apo janë të kyçur në sistemin e arsimit? Nga kjo mënyrë do të marrim numrin e saktë.” – ishte shprehur Mila Carovska, Ministre e punës dhe politikës sociale

Carovska kërkoi nga institucionet publike dhe kompanitë private që të zbatojnë Konventën e Kombeve të Bashkuara dhe t’i bëjnë pjesë të tyre edhe personat me aftësi të kufizuar. Sipas Ligjit për Marrëdhënie Pune, kompanitë nuk janë të obliguara me ligj që të punësojnë persona me nevoja të posaçme, por nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se shteti do të ofroj lehtësira financiare. Këtyre ndërmarrjeve, u mundësohet kthimi i pagesave të kontributeve shëndetësore për të gjithë të punësuarit dhe kanë të drejtë të blerjes së pajisjeve deri në 200 rroga mesatare dhe trajnimin për vendet e punës në shumën prej 100 mijë denarëve.

Adnan Qaili


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply