Lajme nga Maqedonia

Zgjedhjet e parakohshme në pikëpyetje, skadon afati për qeveri teknike (Video)

Komplikohet situata rreth mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale, pasi tanimë nuk ka as mundësi teorike për formimin e Qeverisë teknike sipas rregullave të dakorduara në Përzhino. LSDM ka anuluar mbledhjen e Këshillit ekzekutiv të paralajmëruar për sot, me arsyesimin zyrtar se disa ministra nuk mund të marrin pjesë për shkak të angazhimeve zyrtare jashtë vendit. Në këtë mbledhje mes tjerash partia më e madhe në pushtet duhej të vendoste edhe për kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por shtyrja e vendimit komplikon situatën pasi, nga dita kur pritet të shpallen zgjedhjet presidenciale, më 6 shkurt, deri në ditën e rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale kur mund të mbaheshin edhe ato parlamentare, kanë ngelur rreth 80 ditë.

Sipas këtij kalendari nuk ka kohë të mjaftueshme që para zgjedhjeve parlamentare të formohet Qeveri teknike, me kryeministër dhe ministra teknik 100 ditë para zgjedhjeve. Si pasojë e kësaj, as kryetari i Kuvendit nuk pritet që ta vendos në rend dite kërkesën e VMRO-DPMNE-së për shpërbërje të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, i cili kushtëzoi këtë vendim me formimin e Qeverisë teknike. Përveç kësaj teme, LSDM pritej që në mbledhjen e këshillit ekzekutiv të diskutojë edhe për zgjedhjet presidenciale. Vendimi përfundimtar do të merret në kongresin partiak, ndërsa deri më tani mësohet se 4 emra janë në garë për të marrë nominimin partiak: Radmilla Sheqerinska, Oliver Spasovski, Nikolla Dimitrov dhe Stevo Pendarovski.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE të martën pritet që të publikojë emrat e 8 kandidatëve të paraqitur në konkursin e partisë. Tre prej tyre janë konfirmuar në opinion. Si kandidate me më shumë gjasa është Gordana Siljanovska, ndërsa me shumë pak nga tre emrat e konfirmuar është Filip Petrovski. I pari kandidimin partiak e paralajmëroi deputeti aktual i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev. Të tetë kandidatët do të duhet të marin mbështetjen e mbi 500 delegatëve në kongresin partiak që do të mbahet më 16 shkurt në Strugë. Vendim të prerë nuk ka as në kampin politik shqiptar. BDI ditë më parë njoftoi se shqyrton mundësinë e garimit me një kandidat partiak, por la të hapur edhe mundësinë për kandidat koncensual me partitë shqiptare. Por, Aleanca për Shqiptarët hodhi poshtë çdo mundësi koalicionimi me BDI-në dhe njoftuan se kanë lënë të hapura dy mënyra: garimin me kandidat të tyre ose me kandidat të përbashkët me opozitën shqiptare. Nga LSDM nga ana tjetër thonë se ende është gjallë ideja për kandidat të përbashkët me BDI-në dhe partitë e tjera shqiptare në koalicionin qeveritar. Arben Zeqiri /SHENJA/


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply