Intervista

Meçorapaj: Rama i rrethuar nga ndërkombëtarët, marrëveshja e 18 majit ka vdekur

Deputetja e PD-së për “Koha Jonë”, Nada Meçorapaj: Qeveria tranzitore është një kabinet multipartiak që përgatit zgjedhje të besueshme dhe harton një paketë pro integrimit europian

Intervistoi: Redjon Shtylla

“z. Basha e ka shpallur qartë se marrëveshja e 18 majit ka vdekur. Aktualisht jemi në rrethana kur rrethimin ndërkombëtar që mund të pësonte opozita nëse nuk futej në proces, e vuan Rama”. “Frikës” për një marrëveshje tjetër, deputetja e PD-së, Nada Meçorapaj e hedh poshtë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo thotë se kryeministri Edi Rama po vuan nga rrethimi i ndërkombëtarëve dhe se një telefonatë me John Bolton nuk e nxjerr nga ky rrethim. Duke folur për 16 shkurtin, deputetja e Vlorës shpjegon nevojën e qeverisë tranzitore. “Qeveria tranzitore është një kabinet multipartiak që përgatit zgjedhje të besueshme dhe harton një paketë pro integrimit europian”.

Si deputete e Vlorës, qark ku edhe z.Rama fitoi mandatin si deputet, si kanë reaguar qytetarët jo vetëm demokratë për situatën ku ndodhet vendi? Pse duhet që vlonjatët të jenë në Tiranë më 16 shkurt?

Reagimi i parë dhe më i rëndësishëm ka qenë angazhimi me protestat studentore në Vlorë, të cilat morën mbështetje serioze. Protesta studentore nuk ishte një lëvizje demokrate apo socialiste por një nevojë e rinisë për të kundërshtuar një ligj dhe sponsorizuesit e tij, që nuk merrnin parasysh as realitetin studentor dhe as atë shoqëror, në Vlorë, Shkodër apo kudo në Shqipëri. Mosmarrja parasysh e këtij realiteti shoqëror është arsyeja se pse qytetarët vlonjatë, pa dallim partie, duhet t’i bashkohen dhe do t’i bashkohen protestës së opozitës së bashkuar më 16 shkurt.

Si do të largohet Edi Rama nga pushteti? A ka një skenar opozita se si do të organizohen protestuesit? Gjatë takimeve që z.Basha ka pasur me qytetarë ata i janë drejtuar me kërkesën: Mos i jep më dorën Edi Ramës! Si duhet ta lexojmë ne këtë mesazh?

Edi Rama ka rënë moralisht nga pushteti. 16 shkurti është një bashkim i popullit me opozitën për t’i kujtuar komuniteti ndërkombëtar por edhe qeverisë dhe atyre pak njerëzve që i besojnë ende pushtetit, se Rama e ka humbur shumicën dhe se datat e zgjedhjeve janë për t’u respektuar në kalendarin e demokracisë por respektin më të madh duhet ta gëzojnë datat që thërret nevoja historike për t’i dhënë fund status quo-së, abuzimeve të pushtetit dhe për të zëvendësuar mosqeverisjen me qeverisje, për të zëvendësuar propagandën qeveritare me një kontratë të re sociale. Edi Rama mund të rrëzohet në shumë forma por pamundësia për të qeverisur e ka nxjerrë në pah ndërkohë rrëzimin e tij. Mesazhi qytetar për të mos i besuar Ramës është i drejtë por i mbetet kryetarit të opozitës detyra që të negociojë me aktorët politikë dhe socialë duke e patur parasysh këtë sentiment por edhe paktin e 18 majit që e shtyu Ramën drejt mandatit të dytë por edhe nxori Partinë Demokratike nga një skenar i bllokimit ndërkombëtar i cili do të kishte pasoja të parikuperueshme. Të mos harrojmë se z. Basha e ka shpallur qartë se marrëveshja e 18 majit ka vdekur. Aktualisht jemi në rrethana kur rrethimin ndërkombëtar që mund të pësonte opozita nëse nuk futej në proces, e vuan Rama dhe një telefonatë me John Bolton nuk e nxjerr nga ky rrethim. Telefonata dëshmon të kundërtën, që ai është gati të futet në negociata të paqarta për shqiptarët dhe të ardhmen e tyre në rajon me qëllimin e ruajtjes së pushtetit personal.

Opozita flet për qeveri tranzitore por në zgjedhjet e 2017, në qeveri ishin dhe ministra teknikë dhe sërisht PD-ja akuzoi për vjedhje të zgjedhjeve. Si do të jetë kjo qeveri tranzitore dhe ka PD-ja ndonjë model të huazuar?

Qeveria tranzitore dhe përkthimi politik i konjukturës së saj i përket besoj kryetarit të partisë Demokratike, që është forca më e madhe në opozitë, duke përfshirë këtu edhe aleatët që kanë rezistuar bashkë me ne por edhe strukturave drejtuese të PD-së. Unë mund të them një gjë të njohur që qeveria tranzitore është një kabinet multipartiak që përgatit zgjedhje të besueshme dhe harton një paketë pro integrimit europian.

Në Kuvend z.Basha tha se socialistët në pushtet kanë marrë një mesazh se në qershor nuk do të hapen negociatat për Shqipërinë por Balla pohoi se në Bundestag ka një shumicë bindëse në favor të hapjes së negociatave. A po e vë opozita në rrezik integrimin në BE, nisur me bllokimin e reformës zgjedhore?

Unë kam dëgjuar deklarata të tjera nga përfaqësues të Bundestagut, si në nivelin e përfaqësimit politik ashtu dhe të atij këshillimor. “Problemi” nuk është vetëm Gjermania por edhe Holanda, Danimarka, Franca etj. Këto vende nuk janë problemi se duan të na pengojnë në rrugën tonë të integrimit por se shohin një problem te kriteret e papërmbushura dhe te mënyra e qeverisjes së Ramës. Të thuash se opozita është problemi dhe penguesja e integrimit të Shqipërisë është si të thuash se Gjermania, Holanda etj, janë problem ynë. Gjermanët nuk mund të thonë “Po” nëse nuk shohin meritë. Pse opozita që sheh probleme të qeverisjes duhet parë si pengestare? Sa i takon reformës zgjedhore, askush nuk është më e interesuar për implementimin e saj se opozita. Në fund, asnjë vend nuk ngel në klasë për faj të opozitës. Qeveritë janë problemi, gjithmonë.

Si duhet ta lexojmë debatin me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, lidhur me pretendimet se policia ka dhunuar studentët protestues dhe ka shkelur ligjin?

Kjo është një pyetje për ministrin Lleshaj që është kthyer nga gjeneral i ushtrisë shqiptare në “gjeneral të ushtrisë së vdekur të Edi Ramës”.

Opozita së fundmi është duke thënë se zgjedhjet lokale dhe ato të parakohshme do të jenë pa Edi Ramën Kryeministër por si do të arrihet kjo? Çfarë masash po merr opozita që në zgjedhjet lokale mos përsëritet fenomeni i zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-ës, siç e dokumentoi edhe VOA?

Siç u theksua më lart dhe siç ka vijuar kërkesa e kryetarit të opozitës, duhet një qeveri tranzitore që përgatit një paketë masash që kanë të bëjnë me zgjedhjet, dekriminalizimin e procesit, shmangien e eksponentëve të lidhur me kundravajtjet dhe kriminalizimin e zgjedhjeve nga procesi zgjedhor dhe një reformë zgjedhore solide dhe me theks te relativizimi i ndërhyrjeve në process, si dhe i minimizmit të përfshirjes në procesin politik në të gjitha nivelet i elementëve të inkriminuar. Pa dekriminalizim të procesit zgedhor dhe pa një garë të ndershme nuk do të ketë qeverisje të mirë në Shqipëri. Mund të vijojë një stabilietet i rremë në kurriz të demokacisë por gjithandej janë parë shenja të bumerangut që prodhon kjo mbyllje sysh.


Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply