Lajme nga Maqedonia

Dita e mësuesit, 7 marsi edhe këtë vit shënohet me problemet e vjetra

7 marsi, Dita e mësuesit i gjen mësimdhënësit me plotë vullnet dhe dashuri ndaj profesionit që kryejnë. Por, thuajse të gjithë shprehen të shqetësuar dhe të revoltuar për statusin e tyre dhe kushtet me të cilat ballafaqohen gjatë zhvillimit të procesit mësimor. Shpesh herë zëri i tyre kritik ka përfunduar në vesh të shurdhër nga institucionet përgjegjëse. Merita Abazi tashmë 39 vjet bart mbi shpatulla këtë profesion, edhe pse duhet ta shijoj pensionin ajo po shfrytëzon mundësinë ligjore që mësuesinë ta zhvillojë deri në moshën maksimale 65 vjet. Nga përvoja e gjatë ajo kujton se profesioni i mësuesisë gradualisht për zbehet ndërsa nxënësit dukshëm po humbin interesimin për mësim.

Dikur mësuesi kishte autoritet jashtëzakonisht të madh dhe nxënësi po ashtu kishte autoritet si nxënës. Më herët nuk kishim rrjete sociale, nuk kishim telefona, internet e kështu me radhë, tani më veç këto i kanë fëmijët edhe më tepër u intereson ajo se një proces mësimor të themi në formë klasike po edhe në forma të reja që janë tani. Sido që të jetë më pak janë të interesuar, sikur leximi është më i rëndë për ata, sikur edhe mësimi është aty për aty, i beft e jo ashtu i domosdoshëm. Nuk janë aq, nuk është ashtu si ka qenë, interesimi I nxënësve nuk është ashtu si ka qenë – tha Merita Abazi, profesore e gjuhës shqipe.

Ndërkohë, profesori Xheladin Murati kujton se në arsim janë të nevojshme reforma urgjente të cilat duhet nisur nga pozita e nxënësit dhe mësuesit. Madje, sipas Xheladinit ky i fundit është faktori themelor pa të cilin nuk mund të bëhen reformat.

Ne kemi shkollë fillore nëntëvjeçare por me një orar të stërngarkuar me orë mësimore të nxënësve, të stërngarkuar me lëndë mësimore, të stërngarukuar me dije të cilët ende i takojnë elementit enciklopedik, ne kemi ende në shkollat tona arsimtarë të angazhuar tej mase me orë mësimore dhe aktivitete të cilat nuk janë në funksion të afirmimit të nxënësit si subjekt dhe objekt në mësim por bëhen formalisht kërkohet edhe reformë juridike në shkollë, se si të bëhet vlerësimi i arsimtarëve , çka të ndryshojmë në pranimin e arsimtarëve brenda, reforma duhet të përfshijë edhe elementet e konkurrencës që të zgjidhet gjithmonë ai që është më i mirë ai që ka vlera më shumë – deklaroi Xheladin Murati, profesor.

Me rastin e 7 Marsit, gjithandej u organizuan manifestime të ndryshme ku përmes programeve kulturore u recituan dhe u kënduan këngë të ndryshme për mësuesin. Ndërsa, ministri i Arsimit Arbër Ademi me këtë rast ishte nikoqir i shumë veteranëve të arsimit nga qytete të ndryshme të Maqedonisë të cilëve u ndau mirënjohje.

Melihate Rustemi


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply