Lajme nga Shqipëria

Rama në Itali, Lubonja: Anomali shqiptare, Vespa bëri skandal

TIRANË

Emisioni “Të paekspozuarit” i gazetarit Ylli Rakipi në News24, ka në fokus sonte vizitën e kryeministrit Edi Rama në Itali dhe shfaqjen e tij në mediat italiane.

Rakipi e ka nisur me një lidhje me skype nga Italia me analistin Fatos Lubonja, i cili ka komentuar daljen e kryeministrit në Rai Uno në emisionin e Bruno Vespës “Porta a Porta”.

Lubonja tha se vajtja e Ramës në Itali për propagandë është anomali shqiptare duke theksuar se nuk ka asnjë kryeministër në Ballkan apo më gjerë që të bëjnë të njëjtën gjë. Lubonja nuk kurseu as gazetarin italian Bruno Vespa, për të cilin tha se është ndër më të papëlqyerit në Itali.

“Është një anomali shqiptare. Nuk ka kryeministër në botë të shkojë dhe të bëjë propagandë të vendit të vet diku. Keni parë ju kryeministër të Ballkanit, Gjukanoviç apo të tjerët rreth e rrotull të shkojnë e të thonë shikoni sa mirë është atje. E para kjo. E dyta, në qoftë se është fjala për të krijuar një njohje të problemit shqiptar nga mediat italiane, praktikat janë që shkojnë të dërguarit dhe bëjnë kronika, intervistojnë njerëz, pyesni opozitën, të pavarur etj. Kurse këtu shkon kryeministri të rregullojë imazhin. E treta, që është e bezdisshme që ne shqiptarët akoma bëjmë politika t’u mbushim mendjen të huajve se kush është i miri apo i keqi. Akoma sillemi si protektorat dhe nuk ndërtojmë politikanë që kanë mbështetjen e vendit të tyre”, tha Lubonja.

Lubonja e konsideroi si skandal emisionin e Bruno Vespës me Ramën, pasi ai kishte marrë 3 persona në studio që mbështesnin Ramën.

“I fundit është skandali i gazetarit Bruno Vespa që edhe gazetarët më të këqij në Shqipëri mund të mburren. Mori kryeministrin këtej dhe mori tre njerëz që mbështesin kryeministrin. Nuk bën vaki. Më e shëmtuar ishte edhe qëndrimi i tyre. Edhe shërbëtorët më të këqinj të medias shqiptare, mund të mburrin pasi panë Bruno Vespan.

Sepse, kushdo të jetë më i keqi këtu, e merr një njeri, që mendon ndryshe. Akoma më e shëmtuar, ishte qëndrimi atyre, atij Tares, ose Pirgut, që tha se një gomë e djegur, duhen 200 koncerte. Se ai mendon se imazhi i Shqipërisë, janë koncertet e tij, por në fakt imazhi i Shqipërisë është droga. Po jemi prapë në kontekstin që fola është i legjimituar se ai është i majtë dhe gjithë imazhin e tij e  ka bërë me propagandë. Nuk po flas për Bruno Vespën se ai është një nga gazetarët më të papëlqyer në Itali. Kjo është pjesë e pragmatizmit tonë. Ne duhet të bëhemi shpëtimtar të vetvetes”- tha ndër të tjera Fatos Lubonja.

(m.k/BalkanWeb)


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply