Opinione

Rinia… Si ishte? Si është?

Asdren Osaj

Të rinjtë, në momente të caktuara të historisë së Kosovës, kanë ditur të organizohen dhe t’u prijnë proceseve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në shoqëri. Rinia ka qenë e mishëruar me idealin e ndryshimit të rrethanave politike e ekonomike, duke u prirë proceseve – në shumë aspekte.

Në Kosovë ata u prinë proceseve më të rëndësishme që i njeh historia e re – prej protestave për të drejta me të mëdha dhe përdorim të flamurit shqiptar më 1968 dhe kërkesës për Universitet dhe shkollim dinjitoz; protestën e vitit 1981 për të drejta të barabarta me kombet e tjera në ish-Jugosllavi dhe kërkesën për statusin e republikës; protestat e fundviteve ’80 dhe ato të viteve ’90 të shekullit të kaluar, për liri, pavarësi e deri tek protestat për një shtet demokratik dhe funksional të zhvilluar gjatë viteve të fundit.

Pra, rinia nuk ishte vetëm në krye të shumë organizimeve shoqërore, por edhe ishte shpirti e motivi i çdo lëvizjeje – paqësore apo edhe të armatosur. Ishte aty, duke shtyrë proceset para.

Si është sot kjo energji që dikur i ka ndryshuar pushtetet dhe ka trazuar edhe diktator?

Sot, më shumë në ndonjë aktivitet të shtyrë nga grupacionet politike (zakonisht si bartës të postërëve), rinia kosovare është pllakosur nga një gjumë i thellë i neglizhencës, mos reagimit, heshtjes dhe lejimit të rrjedhjes së ngjarjeve pa qenë pjesë e tyre – ndonëse e ardhmja e tyre preket mu nga këto ngjarje.

Rinia sot i është nënshtruar një procesi kulturor që nuk përkon me frymën dhe energjinë që ka. Ajo nuk është e zëshme në kërkesat e saja për përmirësimin e kushteve edukativo-arsimore, siç ishte dikur në situata shumë herë me të renda dhe me të rrezikshme për jetën. Ndonëse e ka kapacitetin e saj intelektual dhe veprues, ajo vazhdon të mbetet pasive, diku edhe me fajin e saj (në iniciativat për ndryshim të rrjedhjes se ngjarjeve ekonomike, politike dhe sociale brenda ambientit ku vepron).

Sot, përveç ndonjë iniciative aty-këtu që shuhet ashtu siç ka filluar, rinia kosovar është pasivizuar dhe mbyllur brenda komoditetit që jep jeta “fejsbukjane” dhe e rrjeteve tjera sociale. Aty është mbyllur duke reaguar ndaj veprimeve, por jo duke qenë nxitëse e masave preventive që proceset negative të ndalohen dhe të mos merremi me pasojat dhe shkaqet. Të mbyllurit brenda rrjeteve sociale, dhe pjesa tjetër që ëndërr e ka ikjen nga vendi, janë dy kategoritë që sot e prezantojnë rininë kosovare. Sot ajo është bërë një spektatore e zhvillimeve dhe absorbuese e saj pa ndonjë kundër reagim.

Shkaqet…

Shoqëria kosovare, kohët e fundit, si rezultat i hapjes së vendit me botën, i globalizimit dhe zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe mundësive që ka afruar ky zhvillim, është përballur me një zhvillim sociologjik dhe psikologjik që në raste të caktuara ka qenë vështirë i absorbueshëm për të, veçmas për rininë që është grupi me kërkues i një shoqërie.

Në një anë, duke qenë me kërkuese dhe më insistuese për t’u përshtatur me atë çka ofron globalizimi, e në anën tjetër duke u përballur me mungesën e kapacitetit të shoqërisë për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, rinia është futur në një rreth vicioz të dëshpërimit dhe të mos reagimit.

Liria dhe e drejta për t’u ndjerë i lirë brenda ambientit ku vepron, është një gjë që në raste të caktuara është keqpërdorur dhe është venë në funksion të mos zhvillimit të shoqërisë, por vetëm të një grupi të margjinalizuar të njerëzve. Kosova ende nuk po arrin të bëjë kthesë në zhvillimin ekonomik. Shqetësues është fakti që një pjesë bukur e madhe e rinisë gëzojnë një potencial profesional e akademik, dhe ende kanë mungesë të punësimit.

Krahas kësaj kemi një proces të edukimit – të ngjashëm si ai i zhvillimit ekonomik – që nuk po arrin të shpërthejë dhe të jetë jo vetëm vend grumbullues i rinisë pasive, por çerdhe e shkencës dhe edukimit të mirëfilltë bashkëkohorë.

Pasojat…

Sistemi i krijuar, pas luftës së fundit në Kosovë, nuk ka arritur që të krijojë kushte, mundësi dhe stabilitet në rrafshin ekonomik, por as në atë politikë. Sistemi nuk u ka dhënë mundësi te rinjve të shpërfaqin vlerat e tyre profesionale dhe akademike.

Anketat e ndryshme, të zhvilluara kohëve të fundit, tregojnë se më shumë së gjysma e kosovarëve nën moshën 30-vjeçare, synim parësor kanë ikjen nga Kosova dhe punësimin e tyre nëpër vende të ndryshme të Evropës. Ikja e kësaj shtrese të popullsisë, veçmas e atyre me përgatitje akademike, do të reflektohet përmes mungesës se dinamikës dhe elitave intelektuale. Kjo do të reflektojë në një stagmin të zhvillimit ekonomik, për të mos – me thënë në një përkeqësim edhe më të gjendjes ekonomike dhe sociale.

E ardhmja dhe aktivizimi…

Të rinjtë e kanë fuqinë me të madhe për të bëre ndryshim. Të rinjtë duhet të angazhohen dhe të jenë më insistues në realizimin e kërkesave të tyre. Duhet t’i njohin të drejtat e tyre dhe përmes kësaj të rrisin mendimin tyre kritik. Nuk është vonë që rinia të përfshihet në vendimmarrje. Një prej fajtorëve është vet ajo, sepse në shumë raste nuk po tregohet kërkuese. Kombinimi në mes të vetiniciativës dhe përkrahjes që këta duhet ta gjejnë tek institucionet, është gjeja më e duhur që të rinjtë të kyçen me shumë në jetën shoqërore.

Institucionet e të gjitha niveleve duhet të angazhohen dhe përveç hartimit të politikave, ta bëjnë zbatimin e tyre në praktikë. Është në përgjegjësinë e të gjithë neve, veçmas institucioneve, që ta rikthejmë besimin e rinisë në shtet – në institucione. Ta bëjmë këtë duke përkrahur dhe nxitur të rinjtë të jenë pjesë e proceseve, ta ndjejnë pronësinë e çdo lloji të vendimmarrjes. E, kjo arrihet përmes një komunikimi të drejtpërdrejt në mes të institucioneve dhe rinisë.

Jetojmë në kohën e globalizimit dhe ky është një proces që nuk mund ta ndal askush, andaj sa më shpejt dhe më mirë i qasemi kësaj sfide të kohërave moderne, e ardhmja e jonë do të jetë më e ndritur. Në këtë pikë, përgjegjësia më e madh i bie rinisë, meqë ajo e ka energjinë, intelektin dhe guximin që gjërat t’i shtyjë përpara, dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë.

(Autori është hulumtues i politikave në Institutin Demokraci për Zhvillim – D4D))

The post Rinia… Si ishte? Si është? appeared first on Telegrafi.

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply