Intervista

Ekskluzive/ Qose flet për ftesën nga Panucci: E prisja prej kohësh, e shoh veten në Seria A

Pas dështimit në Ligën e Kombeve, trajneri i kombëtares sonë Christian Panucci do të përpiqet që të korrigjojë gabimet e bëra në këtë kompeticion,  për të tentuar një vend në Europianin e vitit 2020 nëpërmjet eliminatoreve. Strategu italian pritet që të bëjë shumë ndryshime duke ftuar futbollistët më të spikatur në kampionate të ndryshme në Europë. Njëri prej tyre është Kristi Qose, i cili po shkëlqen këtë sezon në Sllovaki me ekipin e Ruzomberok. 23-vjeçari është një titullar i padiskutueshëm në ekipin e tij, teksa në 18 ndeshje që është aktivizuar në kampionat ka gjetur 6 herë rrugën e rrjetës, dhe një gol në Kupën e Sllovakisë.

Në një intervistë për gazetën “Koha Jone”, mesfushori shtatlartë ka folur për ftesën e marrë këto ditë nga Panucci për dy ndeshjet ndaj Turqisë dhe Andorrës: “E kam pritur gjithmonë ftesën, por siç e kam thënë edhe më parë, kam durim dhe nuk ka pasur asnjë problem për mua. Kur më erdhi ftesa isha vetëm në shtëpi dhe nuk kisha me kë ta ndaja (qesh)”.

Më tej mesfushori i lindur në Korçë flet dhe për momentin shumë pozitiv që po kalon në Sllovaki dhe për një nga idhujt e tij: “Punoj çdo ditë me shokët e skuadrës dhe stërvitem shumë edhe individualisht. Më pëlqen shumë që të praktikoj sportin e boksit. Sa i përket nivelit të kampionatit mund të them se është shumë i mirë, mund ta krahasoj me Kroacinë, Austrinë dhe Hungarinë. Pozicioni në fushë? Preferoj që të luaj pak më i avancuar në mesfushë dhe më pëlqen që të jem shpesh në kontakt me topin. Si idhull kam pasur Yaya Toure, por në kohët e tij më të mira”.

Së fundmi kombëtaren tonë e ka refuzuar edhe një tjetër talent si Durmishaj, por 23-vjeçari nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim dëshirën e madhe për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi.

“Për Durmishajn nuk është një gjë që më përket mua, se çfarë zgjedh dikush tjetër. Unë kurrë nuk e kam menduar që të luaj për një tjetër shtet përveç Shqipërisë. E ardhmja? Kam pasur oferta të ndryshme, por klubi i ka refuzuar. Preferoj që të luaj në Seria A dhe mendoj se stili i lojës sime do të përshtatej më së miri në këtë kampionat”, deklaroi Qose.

Mesfushori korçar e ka nisur karrierën në Greqi te skuadra e PAOK-ut për 3 sezone me shumë ulje-ngritje, me huazime në disa ekipe, derisa u transferua në verën e vitit 2017 te ekipi i Ruzomberok në Sllovaki, ku edhe po shkëlqen në sezonin e dytë me gola, por dhe shpesh herë ka përfunduar në formacionin më të mirë të javës. Panucci sheh te ai një lojtar të ngjashëm me Kukelin, shumë i fortë në veprimet mbrojtëse, por i aftë edhe për të gjetur rrugën e rrjetës. /Koha Jone/

 

 

 

 

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply