Lajme nga Kosova

Hand: Një marrëveshje e nxituar mes Kosovës dhe Serbisë, do të kishte pasoja

Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ngusin Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje brenda vitit, sepse ato kanë çështje të vështira për të zgjidhur.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hand tha se ai vetë nuk është dakord me idenë e ndryshimit të kufijve por shtoi se ajo nuk është hequr nga tryeza.

Njohësi i hershëm i çështjeve të Ballkanit tha se tarifa 100 për qind ndaj Serbisë është gabim taktik, por se megjithatë në këndvështrimin afatgjatë, Shtetet e Bashkuara do të jenë mike dhe aleate të Kosovës.

“Mendoj se tani është koha për t’iu rikthyer negociatave dhe dialogut. Dhe më pëlqejnë disa nga deklaratat që kanë ardhur kohët e fundit nga administrata, që bëjnë thirrje për heqjen e tarifave që ka vendosur Kosova, si edhe që i bëjnë thirrje Serbisë që të ndalë përpjekjet agresive për të kthyer mbrapsht disa nga njohjet e Kosovës, pra që të ndalin këto veprime negative dhe të fillojnë të ndërmarrin disa veprime pozitive”.

“Për sa i takon ngutjes, mendoj se kryesisht është përqendruar tek arritja e një marrëveshjeje deri në fund të vitit dhe nuk është se më befason shumë një gjë e tillë. Kam parë diplomatë dhe politikanë përmes dekadave me radhë që kam që punoj me Ballkanin, që e kanë fokusin shumë afatshkurtër, për atë kohë që janë ata përgjegjës dhe që të marrin meritën, duke u përpjekur të sigurojnë një marrëveshje me shumë shpejtësi. Dhe bëhet me mjaft nxitim. Dhe pastaj pas ndonjë viti, fillon të shohësh pasojat e këtij nxitimi në terren sepse gjërat janë bërë në mënyrë shumë të rrëmbyer. Prandaj unë vetë nuk jam kundër të rënit dakord për të filluar bisedimet, për të filluar dialogun për të parë se çfarë është e mundur, por nuk mendoj se domosdoshmërisht duhet të ketë një nxitim për të rënë dakord, por ndoshta duhet të ketë kohë për të shprehur mosmarrëveshjet, për të filluar dhe konsoliduar një dialog, dhe të vazhdojnë nga ajo pikë, në vend që të shpresojnë për një marrëveshje deri në fund të vitit”, ka thënë ndër të tjera Hand.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply