Lajme nga Maqedonia

Veterani i UÇK-së sot jeton në Itali, ende i mban në trup pjesët e granatës serbe që e plagosi në front (Video)

Qyteti Padova është ndër qytetet më të njohura universitare në Itali, sepse aty gjendet universiteti i dytë më i vjetër në Evropë, pas atij të Bolonjës. Është qytet muze, sepse çdo cep i tij ka histori të begatë shumëshekullore. Mirëpo në këtë konkurencë të ashpër guida turistike për këtë qytet universitar, në mesin e 101 vendeve që duhet vizituar gjatë qëndrimit në Padova, përmend edhe restorantin Fly. Pronar i këtij restoranti është shqiptari Azem Fetai, shqiptar nga fshati Reçan i Therandës, të cilin ekipi i lajm.tv e takoi gjatë qëndrimit në Itali. Me një takim të shkurtër është vështirë të kuptosh se kush është Azem Fetai. Duhet të bisedosh goxha gjatë, për të kuptuar se ky punëtor i vyeshëm, por i heshtur dhe modest, është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe invalid i luftës. Ekipi i Lajm.tv ka takuar Azemin gjatë qëndrimit në këtë qytet, kurse rrëfimi i tij jetësor meriton një vëmendje të veçantë. Gjithçka ka filluar në mesin e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, kur si nxënës i vitit të dytë të shkollës së mesme i është bashkuar aktiviteteve ilegale në Kosovë.
Vitet kalojnë, e bashkë me kalimin e tyre shtohen obligimet profesionale dhe familjare. Mirëpo as 20 vitet e kaluara, e as obligimet e shtuara, nuk ia kanë fshirë Azemit aspak nga mbamendja kujtimet e ditëve të luftës. E kujton gati çdo detaj të ofensivës së egër serbe në atë ditë prilli të vitit 1999, kur gjindej në vijën e parë të frontit në fshatin Krusicë. E kujton edhe momentin kur pranë pozicionit të tij ka rënë granata e minahedhësit, që i shkaktoi plagët, si dhe momentin kur pas disa orëve u kthye në front edhe pse ishte i plagosur.
Ëndrra e përhershme e Azem Fetait ka qenë që deri në fund të jetë të jetë në shërbim të atdheut, respektivisht për vazhduar karrierën luftarake në . Mirëpo menjëherë pas luftës ka ardhur dëshpërimi. Edhe pse është shpallur udhëheqësi më i mirë i skuadrës, nuk i është plotësuar dëshira të bëhet pjesëtar i TMK-së, FSK-së së sotme. E ka kuptuar se është koha të kërkojë fatin diku tjetër. Ka marrë me vete uniformën e UÇK-së, copën e granatës të mbetur nga lufta e ka në trup sot e kësaj dite dhe është larguar drejt Italisë.

Pas ardhjes në Padovë, thotë se ka filluar një luftë e re për të. Është gjetur në një vend që e ka njohur shumë pak, dhe ka filluar të punojë një punë që nuk e kishte punuar asnjëherë më parë. Dëshira për të dëshmuar se është i aftë të përballet edhe me luftën e jetës, e jo vetëm me luftën në front kundër armikut, ka qenë shtytja që e ka sjellë deri te suksesi i sotëm, të jetë pronar i njërit prej restoranteve më të njohura studentore në Padovë. Ndihmë e madhe për të kanë qenë dy vëllezërit, që në Itali kanë ardhur që në vitin 1990.
Lufta sjell tragjedi dhe vështirësi, mirëpo Azemit në luftë i ka ndodhur edhe një gëzim. Më 9 shtator, në ditën kur ka qenë ofeanziva e fundit e forcave serbe i ka lindur njëri nga tre fëmijët, të cilin e ka pagëzuar Fitim, sepse veçmë ka qenë i bindur në fitoren përfundimtare të UÇK-së kundër agresorit serb. Fitimi sot është rritur dhe përveç që mëson në Padova, është edhe krahu i djathtë i babait të tij. Ai është edukuar në frymën kombëtare dhe mallin e Kosovës e mban vazhdimisht në zemër.
Përveç specialiteteve dhe mikpritjes, restoranti Fly është i njohur për padovanët edhe në bazë të fotografisë së madhe të Skenderbeut të vendosur në njërin prej mureve të restorantit. Si reagojnë klientët kur e vërejnë këtë fotografi gjigante të heroit shqiptar?
Kur është hapur para 15 viteve, klientela e restorantit Fly kanë qenë vetëm studentë. Mirëpo shumica prej tyre edhe pasi kanë përfunduar studimet, vazhdojnë të mbeten klientë të rregullt të këtij restoranti, tani si profesionistë mjaft të suksesshëm dhe të njohur. Në mesin e tyre ka edhe shqiptarë edhe italianë, kurse specialiteti më i preferuar është pica “Theranda”, e emëruar në bazë të emrit të pasluftës së qytetit prej nga prejardhjen pronari i restorantit.
Në Fly jam klient që nga mosha 18 vjeçare. Nuk e ndiej veten vetëm si klient, por e ndiej veten si në shtëpinë time. Edhe pse kam kryer studimet dhe tani punoj si stomatolog, gjithmonë jam këtu, sepse ndihem si në mesin e familjes sime. Vij këtu edhe me bashkëshorten edhe me vajën time, vij edhe me miqtë.
Nuk është problem pse është shqiptar. Kur shërbimi dhe mikpritja është e mirë, atëherë un harroj përkatësinë e pronarit dhe atyre që punojnë.
Njerëzit si Azemi, djemtë dhe vajza e tij, sillen me klientët si me familjarë të tyre. Mund të them se jam rritur me kafen që përgatitet në Fly dhe më pëlqen shumë. Poashtu edhe picat që përgatiten këtu janë të posaçme. Pica ime e preferuar është Theranda, një specialitet mjaft i shijshëm.
Italianët kanë respekt për therandasin Azem Fetai, sepse paraqet shembull për sukses të një emigranti i cili jo vetëm që është integruar në shoqëri, por tani bën biznes duke punësuar edhe italianë. Të punësuarit flasin me respekt për të.
Në fillim ka qenë vështirë, sepse ishte gjuha që krijonte probleme. Kam punuar edhe me italianë, por nuk vërej ndonjë diferencë gjatë kohës që punoj këtu. Janë dy kultura të ndryshme, por unë jam e kënaqur nga bashkëpunimi me Azemin.
Njësoj sikurse Azem Fetai, i suksesshëm në Padova është edhe vëllau i tij më i ri, Rrustem Fetai. Ai është pronar i restorantit Artemio, që është në mesin e restoranteve më të njohura në Padova. Të gjitha gazetat rajonale kanë shkruar kur ky restorant është bë pronë e një kosovari. Një pjesë e opinionit ka reaguar pozitivisht, një pjesë tjetër negativisht, mirëpo me punën e tij Rrustemi jo vetëm që e ka ruajtur, por edhe e ka avancuar prestigjin e restorantit Artemio.
Kur mbyllet një derë, hapet një derë tjetër. Kosova i mbylli një derë veteranit dhe invalidit të luftës, Azem Fetai, por ai gjeti një derë të hapur në Itali. Asnjëherë nuk është penduar për sakrificën e dhënë për atdheun dhe nuk ka ndërmend asnjëherë të kërkojë kompensim material, ani pse zyrtarisht gjendet në listën e veteranëve të UÇK-së. Babai im ka qenë mërgimtarë edhe ne tre vëllezër, djemtë e tij jemi mërgimtarë. Kompensimi më i mirë për mua, por besoj edhe për çdo luftëtarë të vërtetë, është që Kosova një ditë të bëhet shtet i fuqishëm dhe i zhvilluar, ku sundon drejtësia. Shtet që do të ketë perspektivë për rininë e vet, thotë Azemi duke kujtuar me lot në sy momentin kur u desh të largohet nga Kosova dhe të zhvendoset në Itali.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply