Lajme nga Maqedonia

(VIDEO) Analistët: Presidenti i ri duhet të bashkojë shoqërinë

Kandidati i ardhshëm për president sipas analistëve duhet ta bashkojë shoqërinë, e cila është e ndarë në të gjitha aspektet dhe t’ia kthejë dinjitetin shtetit dhe reputacionin kryetarit. Ferid Muhiq, në shkrimin e tij për revistën “Shenja “ shkruan se në realitetin politik, në të cilin jetojmë, nuk janë të nevojshëm super-kualitetet për t’u bërë kryetar shteti, pasi realiteti flet qartë se secili mund të bëhet kryetar, përkatësisht ata që janë bërë kryetarë, fare pak, për të mos thënë aspak, nuk kishin ndonjë aftësi intelektuale ekstraordinare dhe karakteristika morale.

Ferid Muhiq, analist

“Republika e Maqedonisë së Veriut, në një atmosferë tepër të tendosur, është në prag të zgjedhjes për kryetar të saj të parë pas ndryshimit të emrit kushtetues. Ky moment dhe një mori problemesh të tjera, por edhe mospajtimet e shumta, ndikuan dukshëm në ndarjen e shoqërisë, madje edhe publikisht i ndanë qytetarët, si në aspekt të përkatësisë partiake, ashtu edhe në vija të ndarjes intra e inter-etnike. Në rrethana të tilla është e kuptueshme që me vëmendje të veçantë pritet zgjedhja e kryetarit të ri, prej të cilit pritet që sa më parë ta stabilizojë edhe klimën politike, por edhe atë ekonomike në vend”.

Kurse sipas analistit Daut Dautit në shkrimin e tij në revistën “Shenja “, shkruan se kryetar shteti ideal Maqedonia deri tash nuk ka pasur fat ta ketë, por një gjë duhet theksuar thotë ai se Gjorge Ivanov është shembulli i kryetarit çfarë nuk i duhet Maqedonisë.

Me qenë se është hera e parë që dikush të garojë si kandidat i përbashkët i dy partive relevante të blloqeve etnike maqedonase dhe shqiptare, Dauti thotë se kandidati “konsensual” do të simbolizonte një frymë të re uniteti politik e etnik, çfarë ka munguar në të kaluarën dhe një dëshmi përfundimtare se Maqedonia ka nisur të lirohet nga nacionalizmi vulgar, i cili vazhdimisht kërkonte armiq të brendshëm dhe të jashtëm.

Daut Dauti, analist

“Kryetarit të ardhshëm i rastis të jetë ‘kryetar historik’ i Republikës së Maqedonisë së Veriut. A do të jetë i mirë ose i keq, a do të jetë demokrat ose autokrat, autonom në veprimet e tij apo i varur nga ekzekutivi (kemi pasur gjithfarësh deri tash), kjo do ta pozicionojnë atë në sistemin e vlerave më vonë. Por, ajo që do të mbetet e shënuar dhe e pakontestuar do të jetë fakti se ai do të jetë KRYETARI I PARË i shtetit me emër të ndryshuar, pra kryetari i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, e me këtë edhe do ta gëzojë epitetin ‘kryetari historik”.

Megjithatë ata këmbëngulin se kryetari i ardhshëm nuk duhet të jetë i kontestuar dhe nuk duhet të jetë servil ndaj pushtetit ekzekutiv, por duhet të jetë kooperativ në suaza të bashkëpunimit midis institucioneve, ai nuk duhet t’i mbrojë interesat vetëm të shumicës ose vetëm të opozitës, por duhet të jetë “baba i kombit” në plotkuptimin e fjalës, i cili do të punojë në realizimin e përcaktimeve gjeostrategjike, një kryetar që do ta respektojë kushtetutën, por dhe ta ketë elokuencën dhe virtytet që i kanë hije një shefi të shtetit.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

 


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply