Lajme nga Maqedonia

Iljaz Halimi: Presidenti konsensual duhet të jetë shqiptar (Video)

Ideja për kandidat konsensual e propozuar nga BDI-ja, sipas ish kandidat për President Iljaz Halimit deri tani ka sjellë vetëm president maqedonas, të përkrahur edhe nga shqiptarët dhe jo të kundërtën. Në një intervistë për Revistën Shenja Halimi këtë tezë e vërteton me faktin kur në prill të vitit 2014 ai ishte kandiduar për president si kandidati i vetëm shqiptarë, ndaj tij u zhvillua një fushatë e ashpër dhe siç thotë ai  nuk u mundësua sigurimi i votave të mjaftueshme që do të ndikonin në raundin e dytë zgjedhor në përzgjedhjen e njërit prej dy kandidatëve maqedonas për president.

Iljaz Halimi, ish kandidat për President

“Idenë për kandidat konsensual unë e kuptoj kur pala shqiptare dhe maqedonase do të pajtohen që për president të nxjerrin një kandidat shqiptar e jo maqedonas. Shikuar realisht, edhe me rastin e zgjedhjes së katër presidentëve të deritanishëm në Maqedoni – të gjithë me përkatësi nacionale maqedonase, ka pasur parti politike shqiptare që janë pajtuar për zgjedhjen e tyre, që i bie se një pjesë e madhe e maqedonasve dhe e shqiptarëve kanë votuar për ta. Pra, lirisht mund të themi se të gjithë presidentët e Maqedonisë kanë qenë të zgjedhur me marrëveshje apo me konsensus”.

Veprimtarinë e mandatit të parë të presidentit Gjorge Ivanov, Halimi e kujton si një veprimtari të dështuar, por megjithatë ai thotë se Ivanov pati guxim që të rikandidohej, për të marrë kështu edhe mandatin e dytë.

Iljaz Halimi, ish kandidat për President

“Megjithëse z.Ivanov karakterizohej si person denjësisht i partizuar dhe me një politikëbërje e cila binte ndesh me kërkesat e shqiptarëve për realizimin e të drejtave të tyre kombëtare dhe zhvillimin e një shteti të barabartë për të gjithë, ai mori guximin dhe u kandidua për të marrë edhe një mandat në zgjedhjet e mbajtura në prill të vitit 2014. Fitorja e tij për të dytën herë në këto zgjedhje, atë e fuqizoi edhe më shumë që të vazhdojë me mënyrën e njëjtë, madje edhe më të vrazhdë të udhëheqjes me shtetin. Për mënyrën se si ai e ushtroi detyrën, lirisht mund të thuhet se ka qenë presidenti më i dështuar prej të gjithë presidentëve që ka pasur Maqedonia”.

Iljazi preferon që në të ardhmen presidenti i shtetit të zgjidhet në Parlament. Në këtë mënyrë ai thotë se mund t’i  ikim organizimit të zgjedhjeve në nivel të shtetit, që përcillet me një kosto të lartë financiare. Edhe për nga kompetencat që i ka presidenti i shtetit thotë ai, të cilat janë të kufizuara, nuk ia vlen që të mbahen zgjedhje presidenciale, pasi fundja, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është shtet presidencial, por shtet parlamentar, ku pushteti është i përqendruar më shumë në qeveri sesa në institucionet e tjera, përfshi këtu edhe Presidencën. Emine Ismaili /SHENJA/


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply