Lajme nga Diaspora

U shënua 38 vjetori i Pranverës Studentore të Kosovës 1981

Në organizimin të LVV-së për Zvicër dhe pikës në Raperswil të St.Gallenit, në mesin e shumë bashkatdhetarëve dhe protagonistëve të demostratave të vitit 1981 në Prishtinë, u evokuan kujtime dhe rrëfime të asaj ngjarje me rastin e 38 vjetorit të saj

E Enjte, 14 Mars 2019 – 12:00
albinfo.ch

Në sallën e dekoruar enkas për nderimin e demostratave të vitit 1981, ishin vendosur flamuj dhe pllakata të përkujtimit të kësaj date të madhe të popullit tonë. Ndërsa korridorin e madh e stolisnin pirografitë dhe mozaiqet e autorit tashmë të njohur në Zvicër e gjetiu Sylë Mujaj. Artisti kishte ardhur nga Lugano për të qenë pjesë e këtij manifestimi me punimet e veta, ku paraqet figura të aktualitetit tonë, pastaj veshjet kombëtare, figurat emblematike të popullit tonë. Me këto dhe punime tjera, ai zgjoi kurreshjtjen e të pranishmëve të shumtë që kishin ardhur në këtë manigfestim. Edhe këndi i librave të autorëve të ndryshëm, ashtu si dhe ushqimet dhe pijet e ekspozuara tregonin se gjithëçka ishte menduar mirë nga organizatorët.

Për këtë tubim ishte formuar edhe Këshilli Organizativ i përbërë prej: Agim Sylejmani, nënkryetari i dytë i Qendrës së LVV për Zvicër, Ilmi Cakolli, anëtar i kryesisë së LVV Qendra në Zvicër, (kryesus), Hamdi Mehmeti, kryetar i Pikës Obersse-St.Gallen, Gëzim Ramizi, delegat nga pika në KQ dhe në KP, Blerim Metaj, sekretar i Pikës.

Me intonimin e himnit kombëtar nën dekorimin e anëtarëve të dy shkollave të vallëzimit, që ishin ftuar vetëm për këtë ngjarje si SH.SH.V “SHOTA” në Aarau dhe SH.K.A “DARDANIA” në Winterthur, si dhe me këndim të Dije Shaqa – Sefa, filloi manifestimi i rëndësishëm.

Pas himnit kombëtar dhe një minute heshtjeje për gjithë të rënët e çështjes sonë kombëtare, dy moderatorët; Agim Sylejmani dhe Vjosa Kryeziu – Krasniqi, ftuan në skenë së pari Ilmi Cakollin si kryesues i këtij manifestimi për një fjalë rasti lidhur me këtë ngjarje.

Duke i përshëndetur të pranishmit dhe, Cakolli mes tjerash tha: “Ishte Pranvera ’81 ajo që vetëdijësoi më shumë se kushdo e çkado qoftë tjetër masat e gjera të popullit tonë duke e bërë rizgjimin tonë kombëtar dhe duke ngritur në një nivel të lartë atdhedashurinë dhe aspiratën e flaktë të bashkimit me nënë Shqipëri”.

Më pas u lëshua një video dokumentare që bënte fjalë për ato ngjarje, duke ngjallur kurreshtjen e publikut, në mesin e të cilit kishte edhe shumë pjesëmarrës të zhvillimeve të asaj kohe.

Në shenjë kujtimi të ngjarjeve të Pranverës ’81, Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” në Zvicër interpretoi vallen e njohur të demonstratave ’81. Këtë valle e ideoi dhe realizoi në skenë virtuozi i skenës shqipe të vallëzimit, tani më i ndjerë, i paharruari artisti i madh Agron Bajrami. Anëtarët e kësaj shkolle u paraqitën me nivel të lartë dhe përgjegjësi të madhe para publikut që po i kujtonte ato ngjarje, duke emocionuar publikun.

Më pas u ftua edhe protagonisti kryesor i asaj ngjarje Hydajet Hyseni – Kaloshi, i cili shpalosi kujtime të veçanta për atë datë dhe ndërlidhi edhe ngjarjet e mëvonëshme që në një formë ishin të ndërlidhura njëra me tjetren deri më sot. Ai, mes tjerash tha se “ngjarja e demostratave të vitit 1981, ka bërë që populli të vetëdijësohet dhe të fillojë të mendojë për të drejtat e veta. Pas shumë përpjekjeve të shumta të viteve të mëparëshme si demostratat e vitti 1968 e më pas, gjë që rezultoi me frymën revolucionare të pranverës së 81-shit.”

Në vazhdim, vogëlushja Ulpijana Miftari, anëtare e Shoqërisë Kulturore Artistike “Dardania” recitoi vargje: “Për bashkim kombëtar” si dhe ekzekutoi me flaut këngën e njohur “Xhamadani vija vija”. Më pas në skenë u ftua Dije Shaqa – Sefa, e cila interpretoi këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”.

Pas fjalës së të ftuarit nga Kosova, deputeti të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, në skenë u ngjitën anëtarët e orkestrës së SH.K.A “Dardania” nga Winterthuri. Ata i kënduan bashkimit kombëtar me këngën “Thërret Prizreni” kënduar nga Hamit Shillova, Niman Ahmeti, Musli Lecaj, Isak Ibrahimi dhe grupi i orkestrës, si dhe këngën për dëshmorin e kombit Jahja Danuza, i cili ra dëshmor në kufirin shqiptaro-shqipëtar në vitin 1999 në Shishman, si pjesëtar i UÇK-së.

Pas tyre këngëve që zgjuan interesim te publiku, vajza e vogël Diana Miftari, po ashtu anëtare e SH.K.A “Dardania” recitoi vjershën: “Bac nuk u kry!”.

Në mesin e të ftuarve nga Kosova ishte edhe Avni Dehari, një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare dhe baba i dy dëshmorëve më të rinj të Republikës së Kosovës, Arbnorit dhe Astritit. Avniu në kohën e Pranverës ’81 ka qenë mësimdhënës në Kumanovë, ku ka mbështetur fuqimisht kërkesat gjithëpopullore në Kosovë. Ai mes tjerash përkujtoi edhe vitet e mërgatës dhe angazhimin e kurbetçarëve në të gjitha periudhat më të rëndësishme të historisë sonë.

Më pas në skenë doli edhe Jashar Alia, i cili ishte edhe pjesëtar i luftës së fundit. Ai evokoi ngjarjet e vitit 1981, duke i cilësuar ato si pikënisje të revolucionit popullor për një Republikë në kuadër të Jugosllavisë së atëhershme.

Programi vijoi me ngjitjen në skenë të Shoqërisë Kulturore dhe Artistike “Dardania” nga Winterthuri. Valltarët e kësaj shoqërie enkas për këtë manifestim, në koreografinë e Shefqet Cakollit, kishin përgatitur vallen kushtuar Hamëz Jasharit, e cila la mbresa të thella te publiku. Ekzekutimi i shkëlqyeshëm i grupit të valltarëve përshkroi përmes valles rënien e familjes Jashari dhe daljen e UÇK-së, në skenë, për të fituar lirinë që sot e kemi.

Më pastaj për e demostratat e 81-shit, në skenë u ftua edhe njëri prej ish të burgosurëve politik e njëkohësisht një piktor i njohur në mesin e kurbetçarëve, Sylë Muja. Ai po ashtu shpalosi kujtime të asaj kohe, duke i lidhur edhe me aktualitetin tonë politik dhe ngjarjet që po na përcjellin në ditët e sotme.

Në përmbyllje të programit, në skenë u ftua edhe veterani këngëve rapsodike dhe djali i rapsodit të pavdekshëm Dërvish Shaqa, Shpend Shaqa, i cili këndoi këngë të demostratave dhe këngë të babait të tij, duke ngjallur mnostalgji te publiku.

Organizatorët kishin përgatitur nga një libër, dhuratë për të gjithë ata që kontribuan për mbarëvajtjen e këtij manifestimi, si: Hydajet Hyseni, Avni Dehari, Beqir Beqa, Halit Nexhaku, Hamdi Mehmeti, Liburn Aliu, Fatime Ademi, Nysret Hajdari, Sylë Mujaj, SH.SH.V “ Shota” dhe SH.K.A “Dardania”.

Krejt në fund SH.SH.V “Shota” në Aarau përfundoi programin artistik me vallen e marshit të UÇK-së, e cila preezantoi ushtrinë tonë të lavdishme të lufës së fundit përmes valles dhe idesë së koreografit të ndjerë, Agron Bajrami.

Rastisi që për ditëlindjen e veprimëtarit dhe të burgosurit të çështjes sonë kombëtare Hydajet Hysenit – Kaloshi t`i bëhet një befasi, nga organizatorët, të cilët kishin përgatitur një tortë si shenjë respekti për te.

Në fund u ftuan të pranishmit ti shijojnë ushqimet dhe pijet tona tradicionale, dhe të vizitojnë ekspoziten e piktorit Sylë Mujaj, së bashku me librat që ishin ekspozuar në korridorin e objektit ku u mbajt manifestimi. (Sh.C.)


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply