Lajme nga Kosova

Paralajmërime nga SHBA-ja e Rusia për “luftë rreth Kosovës”

SHBA-ja dhe Rusia, edhe pse me qëndrime të kundërta, në një parashikim pajtohen: Në Ballkan është e mundshme lufta dhe ajo për shkak të çështjes së Kosovës, shkruan sot gazeta e Beogradit kurir.

Sipas kësaj gazete, transmeton Koha.net , ashpërsimi i krizës në Kosovë, siç pohohet, shpie drejt përshkallëzimit të dhunës dhe konflikteve të armatosura. Vërejtjet e Donald Trumpit dhe të Vladimir Putin duhet të merren seriozisht e që të evitohet skenari i përgjakshëm në Ballkan, më saktë konflikti i serbëve dhe i shqiptarëve, është me rëndësi që Serbia e Kosova të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për nyjën kosovare.

Një ditë pas publikimit të raportit të CIA-s në të cilin theksohet se në vitin 2019 janë të mundshme konfliktet ushtarake, një vërejtje e ngjashme ka ardhur edhe nga Rusia.

Përfaqësues i përhershëm i Rusisë në OSBE Aleksandar Lukasheviq ka deklaruar se Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë pikë destabiliteti.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin ka deklaruar për “kuririn” se paralajmërimet për konfliktin e mundshëm gjithmonë duhet marrë seriozisht.

“Konflikti i ngrirë herët ose vonë do të shndërrohet në konflikt. Kosova nuk po e bën Ushtrinë për t’iu kundërvënë Shqipërisë së madhe, por për të shkaktuar konflikt me Serbinë, në të cilin do të futeshin edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën, duke shpresuar se do t’i sjell të këqija dhe disfatë Serbisë. Kosova po ik nga dialogu sepse u frikohet detyrimeve e udhëheqësit e saj frikohen nga Gjykata Speciale”, citohet të ketë thënë Vulin, transmeton Koha.net.

Drejtori i Institutit Ndërkombëtar për Siguri Orhan Dragash ka thënë se qëndrimet e përfaqësuesve të SHBA-së e të Rusisë vetëm konfirmojnë atë që organet shtetërore të Serbisë paralajmërojnë: Se kërcënimi me dhunë është vetmja metodë që shqiptarë e Kosovës e përdorin për realizimin e qëllimeve të veta politike.

Analisti politik Dushan Janjiq kërkon që të ulen tensionet dhe të fillojnë bisedimet:

“Nuk ka hapësirë për lojëra. Është me rëndësi që Beogradi e Prishtina, nëse duan paqe, të merren vesh për zgjidhjen e problemit të Kosovës me ndërmjetësim të SHBA-së e Rusisë, eventualisht të Gjermanisë si përfaqësuese e BE-së. Brukseli ka dëshmuar se nuk është i zoti që i vetëm ta zgjidhë krizën e Kosovës”.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply