Lajme nga Shqipëria

Tirana nuk e pranon dhunën

Një ditë pas përleshjeve mes policisë dhe protestuesve të opozitës, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka thënë se qyteti nuk e pranon dhunën që ndodhi.

Duke folur në festimet e Ditës së Verës në Tiranë që u spostuan për sot më 17 Mars, kryebashkiaku u shpreh se nuk tolerohen aktet e dhunshme dhe shkatërrimet në kryeqytet.

“Sot besoj se qyteti ka treguar që nuk e pranon dhunën, pavarësisht nga cilat qytete vijnë. Për të gjithë ata që erdhën dje për një ekskursion në Tiranë, kam një pyejte: sa mirë pastrohet qyteti nga vini? Burreli, Kamza, Paskuqani, Shkodra, Lezha, Pogradeci? Sa mirë janë shkollat, kopshtet, çerdhet në qytetin prej nga vini për të dhunuar Tiranën? Në Shkodër, Lezhë, Burrel, Pogradec, Kamëz? Sa pastër është ana e lumit nga ana e Kamzës? Sa mirë vjen autobusi në qytetin tuaj? Sa ngrohje kanë shkollat në qytetin tuaj? A nuk janë këto gjërat e rëndësishme për të cilat duhet të fokusohemi?! Dikush lë qytetin e vet në situatë mizerje dhe vjen të prishë qytetin tonë, kjo është diçka që Tirana nuk e toleron. Përgjigja jonë nuk është një përgjigje e dhunshme, përgjigjia jonë është një përgjigje me hare, me gëzim, me bashkim”.

Duke folur në një prej aktiviteteve të organizuara nga Bashkia, Erion Veliaj theksoi se sot në Tiranë ndodhen edhe media të huaja për të pasqyruar festimet dhe jo trazirat që ndodhen në protestën e opozitës më 16 Mars.

“Jam shumë i lumtur që sot, Tirana e vërtetë, ata që jetojnë në Tiranë, që e duan Tiranën, që duan familjen e tyre më shumë se sa partinë, që duan që ky vend të ecë përpara më shumë se sa ata që duan ta shkatërrojnë, janë sot me shumicë. Kemi përgatitur 50 aktivitete, të cilat kanë filluar që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, vazhdojnë përgjatë gjithë Bulevardit, mandej me sportet ekstreme te sheshi “Nënë Tereza”, dhe në fund me 10 aktivitete te Liqeni. Në pak orë nga shkatërrimi i djeshëm, Tirana ka ngritur kokën. Të gjithë janë këtu me familjet e tyre, jo burrat e dhunshëm, por gra, fëmijë, gjyshe, nipër e mbesa, sepse kjo është Shqipëria e vërtetë! Sot, edhe mediat e huaja që janë në Tiranë dhe po ndjekin zhvillimet, kanë shansin të shohin Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë që do të ecë përpara, Shqipërinë që do të bëjë progres dhe Tiranën që gjithmonë e më shumë është qyteti i ëndrrave tona”, tha kryebashkiaku i Tiranës. /tvklan.al


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply