Lajme nga Maqedonia

A duhet dorëzuar?! – LAJM

Nga Dr. Arben Taravari

Ka ardhur koha që qytetarët po paguajnë një faturë shumë të lartë për të pasur një jetë normale, fatura po ju kushton lot, mall, ankth dhe braktisje. Po flas për dramën më të rëndë ballkanike e cila nuk është ndalur as në kohë paqeje, dhe kjo dramë është sigurisht: Mërgimi!

Edhe pse kemi 19 vjet që e kemi braktisur shekullin e 20-të, fenomeni i ikjes së njerëzve si në kohërat e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ndodh mu më përpara syve tanë, ndodh mu në momentin ku qeveritarë të caktuar dalin të veshur si aktorë hollivudianë dhe mbajnë fjalime për emancipim dhe hapa galopantë drejt Evropës së Bashkuar! Këta zotërinj me luksin e tyre që i rrethon si rrethore fetare i drejtohen lagjeve të varfra dhe plot halle të Gazi Babës apo rrugëve bosh të Dibrës…Kërçovës që sa vjen po tkurret, ikja është aq e madhe sa nuk dallohet sa në mëngjes ka rrugëve 5 kalimtarë, në kulmin e drekës 15, e në orën 9 të darkës asnjë ose ndonjë hallexhi që duhet të shkojë në farmaci…

Politika duket se i flet qytetarëve të Vjenës, ndërkohë që i flet Gostivarit, i flet qytetit ku shtohet numri i nënave që përcjellin fëmijët në kurbet, ku hakmarrja e disa individëve pretendon se është më e fortë se shteti! Politikanët që drejtojnë prej vitesh ishullin e tyre të paarritshëm qeveritar, me halucinacionet e tyre i drejtohen për kushte të shkëlqyera jetese dibranëve të cilët kanë mbetur aq pak sa jo vetëm e njohin njëri-tjetrin me emër dhe mbiemër po i dinë edhe çfarë gatuajnë përditë nëpër shtëpi! Dmth populli po ikën me të madhe, ndërkohë politika deliron për ndryshime të paimagjinueshme në të mirë të shqiptarëve që po vazhduan kështu do mbeten vetëm nga një grusht shqiptarësh që me valixhet në duar do dëgjojnë pallavrat e BDI-së!

Jo vetëm paratë, por diçka shumë më e madhe se to, është kapur peng nga politika diktatoriale e BDI-së dhe kjo është Liria! Duke i mbajtur peng me vende pune të shitura gjoja si favore partiake, duke i shantazhuar me heqje nga puna, ata i kanë marrë shqiptarëve më të shtrenjtën gjë si është Liria! Aq pa vlerë doli kjo “paraja” sa tashmë po ikin edhe njerëzit që kanë vende pune, që nuk vdesin për bukë, ikin se është normale që të kërkosh Lirinë, është e vetmja gjë pa të cilën nuk mund të jetoj një njeri normal. Vetëm lajkatarët dhe të sëmurët mendorë nuk e gëzojnë konceptin e personalitet.

Të sëmurët mendorë janë pacientë për të cilët kujdeset një armatë e tërë mjekësh ku bëj pjesë edhe vet, po për Lajkatarët, Puthadorësit, ata që heshtin se ju duhet një rrogë, për ata jo vetëm që nuk ka shpëtim, por janë edhe njësoj të rrezikshëm si Bosat e partisë që ndajnë familje! Po boshatiset vendi nga një plan i mirëmenduar, nga një strategji e cila ka për strateg “Partinë Shefe”, e cila vetëm pret e përcjellë parti të tjera për bashkëqeverisje, por vet nuk luan nga istikami!

Kjo parti duket se ka mision të pastër: në këtë vend duhet të mbeten vetëm lajkatarët, ata që shesin veten për Bosat e partisë, kurse të tjerët thjesht duhen eliminuar duke u kushtëzuar me lirinë e tyre…dhe ju ka funksionuar plani! A nuk ngjan kjo ikje masive me një spastrim etnik?! A nuk është e njëjtë me kohën kur diktatura totalitare komuniste e ish-Jugosllavisë bënte që shqiptarët të merrni plaçkat dhe të braktisnin vendin?! A nuk duket kjo ikje si një dëshirë millosheviçiane?! Gjatë viteve të terrorit komunist dhe shovinist paraardhësit tanë rezistuan me vendosmëri epike, edhe ata që ikën nuk morën as fëmijë dhe as grua, duke duruar dramën e ndarjes nga familja vetëm e vetëm që t’i kthenin përgjigje pushtetit se nuk mund t’ia shkulte askush rrënjët nga Toka e Tyre!

Nuk ka asnjë dallim nga ajo kohë, përveçse se kombësia e atyre që nuk i duan shqiptarët në trojet e tyre duket se është kryesisht dhe dramatikisht Shqiptare!

Partia Bose po spastron! Kjo është një tjetër betejë e radhës që kemi para vetes, nuk duhet të lejmë shtëpitë, të largohemi nga nënat dhe baballarët, të traumatizojmë veten dhe sidomos fëmijët për të cilët ikjet janë gjithnjë të rënda, duhet thjesht të eliminojmë të keqen që po na përze! Shqiptarët nuk ikën nga ky vend në asnjë kohë sado e madhe ishte shtypja, le të rezistojmë edhe tash që është shumë më e lehtë për të mposht të keqen! Le të bëhemi bashkë të gjithë, e në vendin tonë le të ikin Bosat e Partisë – aty ku përkasin se edhe atë e dinë ku e kanë vendin, prandaj natën nuk i zë gjumi pavarësisht se notojnë në krevat të artë…


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply