Lajme nga Maqedonia

Iu soll 62 herë rreth e rrotull tokës dhe i tha mjaft Zvicrës

Edhe Muhadin Sabedini, sikurse edhe shumica e bashkatdhetarëve tanë, nga vendlindja ishte larguar për një jetë më dinjitoze në mërgim. Fati dashti dhe ai u vendos në Zvicër, në një kompani transporti. Për 38 vite me radhë, Muhadini nuk ngurroi asnjëherë të ulet mbi timonin e kamionit dhe të kryejë punën me ndërgjegje të lartë. Pa dyshim se puna e vozitësit është një punë shumë e rëndë dhe e kujdesshme, pasi një fjalë e urtë popullore thotë: “Vozitësit me një këmbë janë në burg, me tjetrën në varr. Po të mos jetë asnjëra prej këtyre, atëherë puna është mirë”. Dhe, Muhadini u përkujdes që të mos pësojë nga asnjëra prej këtyre dyjave.

Pas 38 vitesh punë aktive, pa asnjë aksident dhe mungesë në punë, pas përmbushjes së obligimeve ndaj vendlindjes, në kohët më të vështira për shqiptarët, në moshën 58-vjeçare, ai vendosi ta braktisë Zvicrën dhe të kthehet në vendlindje. I shkroi një letër shefit me të cilën e informonte se do të largohej nga puna, shkruan Shtegu.com.

Ai nuk e kishte pritur se nga një punëtor sikurse Muhadini, do të pranonte një letër të tillë. E thirri në zyrë dhe u interesua për shkaqet e largimit. “Mjaft më, dua të kthehem në vendlindje dhe t`i shijoj këto vite të mbetura të jetës”, i kishte thënë punëdhënsit të befasuar.

Sikurse çdo punëdhënës i kujdesshëm në Zvicër, edhe ai organizoi një festë të vogël me këtë rast. Gjatë kësaj, ai i kishte rrëfyer një sekret të vogël dhe të çuditshëm: “I nderuari Muadin, të uroj jetë të qetë e të lumtur në vazhdim, të falënderojmë nga zemra për kontributin tënd shembullor në kompaninë tonë. Dua të të tregoj se gjatë qëndrimit në kompaninë tonë, ju i keni realizuar plot 2 milion e 800 mijë kilometra me kamionin e juaj, pa asnjë aksident apo gjobë në komunikacion. Nëse llogarisim në një kënd tjetër, ju i jeni sjellur botës plot 62 herë. Çdo punëdhënës do të krenohej me një punëtor të kalibrit të tillë”, i spjegonte shefi në mesin e të pranishmëve dhe i dhuroi një shpërblim.

Muadini është njeri modest dhe me këmbë në tokë. “Syri është gjithnjë i pangopur”, thotë ai enkas për Shtegu.com, duke aluduar se ka punuar mjaft dhe mbetjen e jetës do ta shijojë në vendlindje, në Tërnocin legjendar të Luginës.

Kohë pas kohe, ai vjen në Zvicër dhe i viziton dy djemtë e tij dhe nipin e vogël.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply