Feja

Kur njeriu ka dinjitetin e tij (Tregim këshillues)

Në kohët e lashta, një njeri donte të merrte hua 1000 dinarë. Ai kishte nevojë për para për të bërë tregti dhe kështu të fitonte diçka për familjen e tij. Kishte për qëllim që paratë t’i kthente pas një viti.

Pronari i parave e pyeti: “Kush më garanton që ti do të mi kthesh paratë e mia?”

Ai iu përgjigj: “Na mjafton Allahu si garantues!”

Njeriu mbeti i kënaqur me këto fjalë, kështu që i besoi dhe ia dha të hollat.

Heroi i tregimit tonë doli dhe udhëtoi shumë larg për të bërë tregti. Ai udhëtoi me anije përtej detit. Bleu dhe shiti, dhe kështu realizoi një fitim. Për një kohë të shkurtër, ai fitoi shumë para. Allahu i dha bereqet në paratë që i huazoi, dhe ai për një kohë të shkurtër u bë i pasur.

Erdhi koha e afatit të dakorduar dhe duhej ta kthente borxhin. I përgatiti 1000 dinarë dhe i vendosi në një qese. Po kërkonte një anije për t’u kthyer, por nuk e gjeti dhe kështu mbeti ditë të tëra duke pritur. Ai ishte shumë i pikëlluar për shkak të pamundësisë për të gjetur një anije që të kthehej në shtëpi dhe ta shlyente borxhin. Po mendonte se çka të bënte? Ishte i pafuqishëm, por shumë kishte dëshirë t’i kthente paratë e huazuara. Duke e ditur se ishte i sinqertë në qëllimin e tij, kur kishte thënë: “Na mjafton Allahu si garantues!” Ai e mori një dru. Në boshllëkun e atij druri e vendosi qesen me 1000 dinarë dhe një letër në të cilën shkroi:

“O Zoti im! Ti e di se unë prej filanit i mora hua 1000 dinarë. I kam premtuar se do t’ia kthej pas një viti. Erdhi koha, por unë nuk gjeta anije. Ai kërkoi nga unë garantues, dhe unë i thashë: “Na mjafton Allahu si garantues!” Ai ishte i kënaqur me Ty si garantues. Të lutem dorëzoja borxhin tim atij njeriu që ia kam marrë hua!!”

Pastaj e mbylli boshllëkun e drurit në të cilin i vendosi paratë dhe letrën. Pastaj drurin e hodhi në det. Deti me vullnetin e Allahut e barti këtë pemë në sipërfaqen e tij. Valët e çuan atë deri në vendin në bregun tjetër, ku jetonte pronari i parave të huazuara. Ai kishte dalë në breg të detit. Po shikonte bregun e detit dhe priste të vinte heroi i tregimit tonë, dhe t’ia shlyente borxhin e tij. Ai qëndroi duke pritur gjithë ditën. Duke parë në fund të ditës se nuk ishte njeriu të cilin po e priste, ai vendosi të kthehej në shtëpi.

E pa një dru të cilin e sollën valët e detit dhe tha me vete: “Do ta marrë këtë dru, për ta përdorur në shtëpi.” Kur arriti në shtëpi filloi ta presë drurin që e mori dhe në të e gjeti letrën dhe 1000 dinarë.

Pas pak ditësh, heroi i tregimit tonë gjeti një anije. Hipi në të dhe me vete i mori 1000 dinarë të tjerë. Ai mendoi se druri në të cilin i kishte vendosur të hollat nuk kishte arritur dhe kishte humbur. Shkoi te pronari i parave. I kërkoi falje atij për vonesën dhe i shpjegoi atij se nuk kishte gjetur anije, andaj për këtë arsye ishte vonuar.

Pronari i parave plot gëzim i tha: “Allahu ka paguar për ty!”

Ai i shpjegoi atij se si e kishte gjetur drurin dhe në të paratë dhe letrën të cilën vetë heroi ynë e kishte shkruar.

Kjo ndodh me ata që marrin hua nga njerëzit dhe dëshirojnë ta përmbushin marrëveshjen. Allahu do t’ua lehtësojë dhe do të paguajë për ta. Kurse ata që dëshirojnë ta mashtrojnë dikë, Allahu do t’i poshtërojë, kurse në Ditën e Gjykimit do t’i ndëshkojë.

num.com;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply