Sports

Njihuni me presidenten e parë grua të Sllovakisë – Balkanweb.com

SLLOVAKI

Avokatja liberale dhe kritike e Qeverisë, Zuzana Çaputova ka mposhtur kundërshtarin e saj me një diferencë të gjerë, duke u bërë kështu presidentja e parë grua e Sllovakisë. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Çaputova arriti të fitojë 58,4 për qind të votave në raundin e balotazhit. Kundërshtari i saj, Marosh Sefçoviç, një kandidat i pavarur, por që ka gëzuar mbështetjen e partisë në pushtet, Partia Social-Demokrate, ka fituar 41,6 për qind të votave.

Sefçovic, nënkryetar i Komisionit Evropian dhe ish-anëtar i Partisë Komuniste, pranoi humbjen pak para mesnatës më 30 mars. Ai gjithashtu konsiderohet si pro-evropian, por gjatë fushatës kishte thënë se Sllovakia duhet të mbajë për vete disa kompetenca vendimmarrëse.

Çaputova kishte fituar raundin e parë të votimeve, që u mbajtën dy javë më parë, duke arritur të marrë 40 për qind të votave. Sefçoviç, në këtë raund kishte fituar mbi 18 për qind të votave.

Korrupsioni dhe ndryshimi kanë qenë temat kryesore para raundit të balotazhit, i cili është mbajtur një vit pasi gazetari, Jan Kucik – i cili kishte hetuar për rastet e mashtrimit të zyrtarëve të lartë – dhe e fejuara e tij, ishin vrarë në shtëpinë e tij.

Pesë persona janë akuzuar për vrasjen e Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova. Vrasja e tyre kishte nxitur protestat më të mëdha në historinë post-komuniste të Sllovakisë.

Çaputova ka bërë fushatë që t’i jepet fund, asaj që ajo e ka quajtur “kapje të shtetit”.

Presidenti në Sllovaki nuk ka shumë fuqi, por emëron kryeministrat dhe mund të vendosë veto ndaj emërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

(BalkanWeb)

 

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply