Kulture

Dëshmi rrëqethëse e shkrimtarit serb Nikolla Paqariz për sjelljet e serbëve ndaj shqiptarëve në Mitrovicë

Hysni Syla  – Mitrovic ë – Udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë më të zëshëm dhe shumë më aktiv në rrëfimin e krimeve të rënda deri në gjenocid të forcave ushtarako-policore dhe paramilitare serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ata kanë material dhe fakte të pakontestueshme për këtë, sepse masakrat që ndodhën mbi popullatën e pafajshme shqiptare gjatë luftës në Kosovë janë të shumta. Madje këto masakra i kanë përshkruar edhe vet disa serbë në librat e tyre. Kështu, në Mitrovicë është një shkrimtar serb, i quajtur Nikolla Paqariz, i cili në vitin 2000 ka botuar librin “Ura e Ibrit” (Na Ibru Cuprija) që kishte ndodhur në “Rrugën e Kovaqëve në Mitrovicë, më 14.04.1999. Në këtë libër Nikolla Paqariz në mënyrë të detajuar e ka përshkruar masakrën e tmerrshme, në të cilën ishin vra e masakrua 31 shqiptarë, të gjithë banorë të lagjes së kësaj rruge, duke i nxjerrë nga shtëpitë dhe banesat e tyre në orën dy të pas mesnatës. Nga këta të vrarë, 26 janë identifikuar, ndërsa pesë janë ende të paidentifikuar (supozohet se ata kanë qenë të strehuar tek ndonjë familje e kësaj lagje). Paqariz në faqen 49 të librit rrëfimin për këtë masakër e fillon duke treguar se si ato ditë në pjesën jugore të Mitrovicës kishin arritur njësitet e reja të specializuara të ushtrisë jugosllave, njësitet rezervë të policisë nga Kraleva, Krushevci, Noci sadi etj, dhe bashkë me ta edhe njësitet tjera speciale paramilitare “Frenkijevci”. “Këto njësi mbahen në mendje për shkak të terrorit të paparë mbi popullatën jo serbe. Digjnin dhe i plaçkitnin shtëpitë e shqiptarëve, ndërsa që ata që kundërshtonin i vrisnin pamëshirshëm. Në Bair ata dogjën mbi 80 shtëpi. Kishin mbetur vetëm oxhakët dhe muret e shtëpive. Ishte e dhembshme dhe e tmerrshme ajo pamje. Gratë dhe fëmijët masovikisht u dëbuan nga shtëpitë e tyre jashtë qytetit. Fillimisht u dërguan në stadiumin e qytetit, ndërsa më pastaj me çmime jashtëzakonisht të larta i vendosnin në autobusët e Kosovatransit, për t’i dërguar në kufijtë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Ata që nuk arrinin të largohen me autobus, u detyruan të nisen këmbë. Qyteti filloi të zbrazet. Në çdo hap vërehej plaçkitja, grabitja dhe zjarrvënia. Krimet më të mëdha ndodhën deri në fillimin e agimit”, shkruan ai në librin e tij. Paqariz më tutje shkruan edhe për rrëfimin që e kishte dëgjuar nga njëfarë Danillo, që kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtorit në shkollën e Bairit, atëherë “Meto Bajraktari”, kurse tash “Musa Hoti”. Danillo që po banonte në pjesën veriore të qytetit, ishte nisur për në shkollë dhe gjatë rrugës, fillimisht ishte legjitimuar tek ura kryesore mbi Ibër dhe më pas edhe tek ish shtëpia e armatës jugosllave, ku i kishin kërkuar vërtetimin mbi obligimin e punës në kushtet e ndërlikuara të gjendjes së luftës. Sipas Paqarizit, Danilloja nuk e kishte paramenduar fare se në çfarë pamjesh do të haste rrugës për në shkollë. “Posa kishte arritur tek furra e bukës që është në fillim të rrugës, Danillo kishte parë një lum gjaku të njeriut që po rridhte anës së rrugës. Menjëherë kishte hasur edhe në kufomat e para të njerëzve, të shtrira në anën e majtë të rrugës. Nuk i kishte numëruar, por i kishin mbetur parasysh shikimet e tyre të ngrira. Disa kufoma kishin qenë të shtrira në shpinë, ndërsa të tjerat në krah. Punëtorët e Ndërmarrjes komunale “Standard” dhe pjesëtarët e Mbrojtjes civile, po i ngarkonin kufomat në disa kamionë të parkuar atypari”, shkruan në faqen 50 të librit të Nikolla Paqarizit. Sipas tij, rreth orës pesë të mëngjesit, në lagje kishin arritur sërish ushtarët të cilët i kishin kontrolluar shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve për të verifikuar se a ka mbetur ndokush brenda. Ata ta cilët i hasnin brenda, i nxjerrnin në rrugë dhe pamëshirshëm i vrisnin. “Për pacifistin Danillo, një pamje e tillë e llahtarshme ishte shokuese. Për veprimet e këtilla nuk kishte kurrfarë arsyetimi, por këtë nuk guxonte ta thoshte publikisht dhe zëshëm, sepse kohërat ishin të turbullta”, shkruan ndër të tjera Nikolla Paqariz në librin e tij “Ura e Ibrit”.

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply