Lajme nga Kosova

“Shqiptarët terroristë”, nisin hetime për ministrin serb

Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kosovë i kërkoi Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës që të hapë rastin për hetimin e ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç, i cili, ditë më parë, u shkarkua nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkak të, siç u tha, deklaratave fyese dhe nxitëse të urrejtjes.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Hoxha tha se rasti ndaj ish-ministrit Teodosijeviç tashmë është hapur.

“Prokuroria është në proces të grumbullimit të provave lidhur me deklaratën që e ka dhënë Todosijeviç, për të parë nëse ajo përmban nxitje të urrejtjes nacionale, racore dhe fetare. Hetimi shkon kryekëput në atë drejtim, mirëpo gjatë deklaratave dhe shkresave tjera që grumbullohen, varësisht, mund të rikualifikohet ose kualifikohet edhe ndonjë vepër tjetër penale”, theksoi prokurori Hoxha.

Ish-ministri Teodosijeviç, përfaqësues i Listës Serbe, gjatë një organizimi për të shënuar 20-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, e ka cilësuar këtë intervenim si “agresion të NATO-s”, ndërkaq shkak i këtij intervenimi, siç ka thënë ai, “ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”, shkruan Rel.

“Ishin ata, shqiptarët terroristë, që e kanë trilluar këtë dhe që kanë bërë krimet më të rënda në Kosovë, për të cilat askush deri më sot nuk është përgjigjur”, ka thënë ministri i shkarkuar, Teodosijeviç.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 9 prill, e ka shkarkuar Teodosijeviçin nga posti i ministrit, duke e vlerësuar deklaratën e tij si “gjuhë e patolerueshme e urrejtjes” dhe “fyerje për viktimat e Reçakut”.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply