Lajme nga Maqedonia

Shtatë vjet nga vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, misteri vetëm po shtohet

U bënë shtatë vjet qëkur popullata e Maqedonisë së Veriut jeton me misterin se kush e kreu vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, në afërsi të Shkupit. Edhe pse sot shënohet shtatëvjetori i vrasjes, dhe që prej atëherë gjërat do të duhej që të qartësoheshin, misteri sa vjen e bëhet më i turbullt dhe me më shumë emra që përmenden se kanë lidhje me rastin, raporton Tv SHENJA. Para shtatë vitesh, më 12 prill të vitit 2012-të, Filip Sllavkovski, Aleksandar Nаkevski, Cvetanço Acеvski, Kire Tërpkovski dhe peshkatari Borçe Stevkovski u gjetën të vrarë në afërsi të liqenit, ndërsa nuk dihej as kush i ka vrarë dhe as për çfarë motivesh.

Por, ministres së atëhershme të Brendshme, Gordana Jankullovska nuk iu desh shumë kohë për organizuar aksion policor, për të arrestuar dhjetëra shqiptarë që i quajti “terroristë islamik”.  Në mesin e të arrestuarve kishte edhe gra. Ajo e shkeli prezumimin e pafajësisë dhe madje i quajti të arrestuarit “vrasës” ende pa filluar as hetimi, duke qëndruar përkrah zëvendësit të saj nga BDI-ja, Xhelal Bajrami.

Përkundër faktit që në opinion vazhdimisht nxirreshin rrethana të ndryshme të ngjarjes dhe vihej në dyshim nëse të akuzuarit janë autorët e vrasjes, Gjykata pas dy vitesh gjykim, shqiptoi dënim me burg të përjetshëm për të gjithë të akuzuarit, përveç për Sejdi Ramiun, që e liroi në mungesë provash.

Gjykata Penale dënoi me burgim të përjetshëm Agim Ismailoviqin, Fejzi Azirin, Haki Aziriin, Sami Lutën dhe dy të akuzuarit në arrati Alil Demirin, dhe Afrim Ismailoviqin, bazuar vetëm në deklaratën e dëshmitarit të koduar si “E1”, edhe pse avokatët ishin të sigurtë se ai është njeri që ka instruksione të qarta nga politika për të drejtuar gishtin kah të akuzuarit.

Dënimi me burg të përjetshëm shkaktoi hidhërim të skajshëm tek mijëra qytetarë shqiptarë të cilët dolën në protestë në shenjë paknaqësie. Por duhej vetëm një shkëndi e vogël mes policisë dhe protestuesve, që të fillonte përleshja. Epilogu i përleshjeve ishte disa protestues të arrestuar dhe pastaj edhe të dënuar me nga tre vite burg. Protestuesit thyen edhe disa xhama të gjykatës penale.

Tre vjet pas shqiptimit të dënimit me burg të përjetshëm, për herë të parë kur lideri i atëhershëm i opozitës Zoran Zaev, filloi me publikimin e “bombave”, filluan edhe mendimet ndryshe për rastin. Lideri i opozitës pasi thënë qartë se ka mundësi që njerëz të pafajshëm të rrinë pas grilave, por pas ardhjes në pushtet, Zaev druante të flasë për këtë temë që thoshte se është e ndjeshme, dhe mund të shkaktojë trazira.

Edhe pse bombat nuk u publikuan, gjëja e vetme që ndodhi pas ardhjes në pushtet të LSDM-së që ishte në favor të të dënuarve, ishte që rasti të fillojë të gjykohet nga e para. Të akuzuarit u lanë edhe që të mbrohen në liri, edhe pse për vepër të tillë të rëndë, në gjykatat e Maqedonisë nuk ka një praktikë të tillë lirimi të të akuzuarve.

Procesi gjyqësor vazhdon ende, por pa ndonjë zhvillim që do t’i jepte rastit pikë kthese. Gjatë periudhës së ardhshme pritet që PSP të nxjerrë materialet e reja që i posedon për rastin, pasi deri më tani vetëm janë ritransmetuar të vjetrat, që i kishin mbledhur prokurorët e rregullt publik. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply