Lajme nga Kosova

Kapet në Mal të Zi i shumëkërkuari në Kosovë – pritet ekstradimi i tij

23:22, 16 Prill 2019

Ka dy muaj që  i shumëkërkuari Leutrim Latifi është arrestuar. Por, ai nuk është kapur nga autoritetet e Kosovës.

Latifi që konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe që dyshohet se është i përfshirë në disa grabitje të armatosura në Kosovë është arrestuar nga autoritetet policore në Mal të Zi, me kërkesë të Policisë së Kosovës.

Arrestimi i tij është bërë në mes të muajit shkurt, por vetëm tani është bërë e ditur një gjë e tillë.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“I apostrofuari është arrestuar më herët [në muajin shkurt të vitit 2019] në një shtet fqinj dhe mbetet kompetencë e autoriteteve për realizimin e ekstradimit, sipas procedurave”.

Klan Kosova merr vesh se janë duke u kryer të gjitha procedurat e nevojshme për ekstradimin e Latifit në Kosovë.

Leutrim Latifi bashkë me Kastriot Shalën dhe Ridvan Ademin prej disa muajsh ndodheshin në arrati për t’iu shmangur arrestit policor.

Dy të dyshuarit e tjerë [Kastriot Shala dhe Ridvan Ademi] që po ashtu konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë vazhdojnë të jenë në arrati dhe akoma nuk dihet vendndodhja e tyre.

Policia kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët për të lokalizuar vendndodhjen e tre të dyshuarve me c’rast kishte zbuluar edhe identitetin dhe fotografitë e tyre.

Për gjatë kohës sa ishin në arrati, Latifi dhe Shala ishin paraqitur ‘live’ në Facebook duke u tallur me Policinë e Kosovës.


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply