Opinione

Reforma “3D” në PDK

Duke u nisur nga titulli, kureshtja e lexuesit gjithsesi do të bjerë mbi reformën “3D”, duke lidhur me nevojën emergjente të modernizimit teknologjik të kësaj partie. Gjithsesi, këtu mund të futen edhe barsoletat e dikurshme për (pa)shkathtësitë e përdorimit të teknologjisë dhe rrjetit, që tregoheshin për drejtuesve e saj të lartë, por në fakt, as teknologjia e fundit nuk e shpreh kuptimin e vërtetë të reformës së domosdoshme në këtë parti. Në kuptimin e teknologjisë, mund edhe të jenë, madje, të avancuar në raport me partitë e tjera, por ajo që i mban ende peng është struktura e çimentuar e saj, nga e cila nuk po arrijnë ende të lirohen as me ndërrim gjeneratash.

Që nga themelimi i saj e deri më sot, këtë parti, me ngritje dhe rënie të herëpashershme, e kanë përcjellë disa karakteristika të cilat në fillim janë dukur si përparësi e për dikë edhe si probleme të saj strukturore. Meritokracia e vendosur në themelet e saj, edhe sot e kësaj dite bënë selektimin kuadrove dhe bënë orientimin e saj politik tashmë varësisht prej interesave të ngushta grupore, duke humbur në një pjesë të madhe kontaktin me elektoratin dhe duke u shndërruar në partinë e tretë për nga fuqia në parlament.

Boshtin kurrizor të kësaj partie, të dalë nga lufta, e bënte fillimisht baza e gjerë e aktivistëve, ish-pjesëtarëve të organizatave të fshehta nga vitet e ‘80-ta dhe ‘90-ta, kryesisht e pjesëtarëve të shumtë të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, por edhe organizatave dhe grupeve të ndryshme politike të cilët kryesisht kishin kaluar edhe shkollën e burgjeve jugosllave – përpos asaj të aktiviteteve klandestine. Të mësuar të luftojë shtetin dhe autoritetin, pjesa më e madhe asnjëherë nuk arriti të disiplinohej dhe të vihej në shërbim të qytetarit dhe qytetarisë, por mbeti gjithnjë e angazhuar në rrjete të ngushta liderësh, të cilët në një pjesë të madhe rivalizonin njëri-tjetrin.

E mësuar me organizimin, e mësuar me agjitimin dhe me lidhje të fuqishme mes vete, kjo shtresë gjithsesi meritore kishte krijuar rrjetin e saj të fuqisë edhe në organizatat legale të paraluftës, si në LDK apo partitë e tjera më të vogla, dhe ishte përballur dhe shpeshherë edhe konfrontuar me ish-strukturat e krahinës, të cilat pas largimit nga skena politike dhe institucionale e Kosovës ishin riorganizuar në formë të partisë politike e cila vazhdonte të ishte më e madhja, falë përfshirjes brenda saj edhe të ish-lëvizjes së rezistencës.

Kjo kategori ishte meritore edhe për bërthamat e para ushtarake gjatë viteve të ‘80-ta dhe viteve të ‘90-ta, por e rivalizuar në vitet e ‘90-ta me përpjekjen për formimin e institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës, e cila pat përfunduar me burgosjen e një pjese të madhe të tyre.

Pak para lufte kjo kategori doli nga LDK-ja dhe të njëjtën e gjejmë në radhë të para të PDK-së, menjëherë pas lufte, dhe të shtuar numerikisht edhe me pjesëtar dhe drejtues të ish-UÇK-së tashmë të demilitarizuar me nënshkrimin e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, njëherësh edhe kryetarit të parë të PDK-së.

Lufta e parë e fshehur në këtë parti ishte pra në mes pjesëtarëve të ish-lëvizjes së rezistencës, të cilët ishin të organizuar rreth liderëve të disa gjeneratave dhe në mes të komandantëve të luftës të cilët strukturën e tyre ushtarake e ruanin edhe në parti, në të gjitha nivelet, vetëm se tash uniformat i kishin ndërruar me kollare të larme dhe çorape të bardha.

Ajo që e bëri z. Thaçin lider të pakontestueshëm, ishte shkathtësia e tij të manipulojë me grupet dhe liderët e tyre, duke e strukturuar PDK-në me një rrjetëzim të fuqishëm, kryesisht operativ, që bazohej në rrjetet e përmendura më lartë, shto kësaj edhe ato të institucioneve të Qeverisë së Përkohshme, si Ministria e Punëve të Brendshme dhe SHIK-u e TMK, të cilat në fakt gjatë tërë kohës ishin jo vetëm instrumente të PDK-së në raport me partitë e tjera që po ri ngriheshin ose formoheshin nga fillimi, por edhe në raport me grupet e brendshme në PDK.

Për aq sa kishin vlerë si instrumente për të sunduar në shtet, aq kishin vlerë edhe për të sunduar partinë shtet e cila funksiononte si e tillë dhe qeveriste me Kosovën edhe në kohën kur fare nuk ishte në pushtet, edhe kur kishte humbur zgjedhjet, në disa raste.

Ky strukturim i partisë, e në fakt edhe i shoqërisë kosovare, kishte sjellë militarizimin e saj, SHIK-izimin e saj dhe, në fakt, për të legjitimuar këtë sundim gjysmë klandestin kishte sjellë edhe te “drenicizimi” i partisë dhe krejt Kosovës.

Kjo kishte bërë që ata që donin të ndërtohej qytetaria në vend të militantizmit, kishin satanizuar pa të drejtë e shpeshherë pa arritur të ndajë të vërtetën prej frikës, regjione dhe struktura të tëra.

Duke u përpjekur të ikin nga ky sundim militar dhe policor, i cili shitej si demokraci, të gjithë që ishin për qytetari dhe për demokratizim, ranë në një luftë joparimore kundër institucioneve të sigurisë dhe në një përbuzje dhe mos durim për një regjion të tërë, siç ishte në këtë rast Drenica, edhe pse fenomeni dhe struktura e njëjtë dukej edhe në regjionet ku kishte pasur organizim të fuqishëm luftarak, si në Dukagjin, Llap dhe në raste edhe në Ferizaj.

Prandaj, në vitet e para të pasluftës, i ndeshur me këto fenomene që po e “mbysnin” qytetarinë dhe demokracinë, në parti dhe shoqëri, si anëtar në organin më të lartë të kësaj partie dhe si një “meritokrat” po ashtu, e kisha artikuluar një program të emërtuar vetëm për nevojat e mija si “3D”, i cili nënkuptonte Demilitarizim , de-SHIK-izim dhe de-drenicizim të PDK-së, si parakusht të qytetarisë së saj, si parakusht të demokratizimit të saj dhe me të krejt shoqërisë Kosovare. Dështimi i këtij projekti të reformave solli edhe largimin tim nga kjo parti dhe nga politika në përgjithësi.

Vija e reformave në PDK ishte shumë e brishtë, sepse “meritokratët” në pjesën më të madhe ishin rehatuar diku nëpër strukturat e partisë dhe të shtetit, në nivele nacionale dhe lokale, kështu që idealizmin e tyre e kishin zëvendësuar me interesa “të merituara” dhe me mbrojtje të vlerave të luftës në vend se me mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe shtetit.

Pas dy dekadash në paqe, këto kategori ishin shpërfytyruar aq shumë sa nuk njiheshin, duke u shndërruar në pushtetar lokal apo nacional apo në biznesmenë nëpër të gjitha nivelet, kështu që vështirë se mund të njihet ndër ta meritokracia e dikurshme edhe pse ajo, pra historia e tyre personale dhe grupore, vazhdon të mbetet arsye e mjaftueshme për të qenë në pushtet.

Tashmë në pushtet i mban edhe fuqia ekonomike dhe ngulitja nëpër institucione të shtetit.

Derisa z. Thaçi ishte lider i kësaj partie, ai manipuloi me mjeshtëri me grupet dhe vijat politike e regjionale dhe sidomos me liderët dhe komandantët e tyre. Ndërrimi në kreun e PDK-së solli turbulenca në baraspeshën e krijuar. Kreu i tashëm i PDK-së, në vend të logjikës thaçiste “përçajë e sundo”, vështirë po ja del me sloganin “bashko dhe sundo”, sepse edhe brenda kësaj partie rrugët janë ndarë dhe çojnë në drejtime të kundërta.

Reformat e premtuara pas ndërrimeve në kreun e PDK-së, kanë qenë dhe do të mbeten të pamundura pa reformën “3D”, pra demilitarizim i PDK, de SHIK-izim i saj dhe mbi të gjitha pa një de-drenicizim të saj, pra ndërrimi i të kuptuarit të saj si një parti e Drenicës që u imponohet të tjerëve.

Këtu vihet te pikëtakimi dhe pikëndarja e PDK-së me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e kjo është e natyrës historike më tepër se programore. Po të ishte veç te programi, PDK dhe LDK lirisht mund të shkriheshin në një parti, por trashëgimia , strukturimi dhe kujtesa historike i mban të ndara, edhe përkundër përpjekjeve dhe ndikimit të sforcuar të PDK-së, në LDK.

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply