Lajme nga Maqedonia

Paralajmërohet ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Ankara (Video)

Republika e Turqisë do të ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Këtë e ka paralajmëruar në një intervistë për MIA-n, zëvendësministri i Jashtëm turk, Faruk Kajmakxhi. Ai tha se kjo çështje është prolonguar për shkak të zgjedhjeve në Turqi, por nga momenti kur do të fillojë me punë Kuvendi kjo temë do të jetë një ndër prioritetet e tyre, e cila do të procesohet në mënyrë më të shpejtë të mundshme.

Faruk Kajmakxhi, zv/ministër i Punëve të Jashtme
“Turqia ishte njëra ndër vendet e para e cila ka pranuar atëherë Republika e Maqedonisë dhe ishte e vetmja e cila e ka pranuar atëherë me emrin kushtetues. Mund të jeni të rehatshëm, ne jemi mbështetësi juaj më i madh në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe kemi qëllim që ky proces të realizohet në afat kohor sa më të shkurtër. Turqia shumë shpejt do të ratifikoj Protokollin për anëtarësim. Procesi i deritanishëm nuk ka asnjë lidhje direkte me Maqedoninë, arsyeja e vetme për vonesën është fakti që Kuvendi ishte mbyllur për shkak të zgjedhjeve”.

I pyetur nëse ratifikimi varet nga kërkesa e Turqisë për ekstradimin e anëtarëve të Feto-s në vend, ai tha se i kushtojnë rëndësi të veçantë anëtarësimit të vendit në NATO dhe mbështetja e tyre do të jetë e plotë në këtë proces dhe nuk do të ketë problem. Megjithatë, diplomati turk ka shtuar se pritjet e tyre janë që të ketë mirëkuptim rreth shqetësimeve të përbashkëta në lidhje me sigurinë.

Faruk Kajmakxhi, zv/ministër i Punëve të Jashtme
“Unë si përfaqësues i Turqisë, mik i Maqedonisë them se lufta e Maqedonisë së Veriut kundër Feto-s është shumë e rëndësishme nga aspekti i Turqisë, ndërsa është shumë e rëndësishme edhe për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut. Feto është organizatë terroriste e cila në veprimtaritë e saja shpesh realizojnë inçizime joligjore, regjistrime audio – vizuele të cilat më pas i përdorin për lëndë të shantazheve në drejtim të interesave të tyre”.

Sipas tij, siguria e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit do të thotë siguri e Kontinentit të Evropës. Turqia pret që të gjitha vendet e Ballkanit, të sjellin hapa vendimtar në luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, posaçërisht kundër FETO-s. Teuta Buçi /SHENJA/


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply