Lajme nga Kosova

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veriun e Kosovës

Rreth 58 mijë votues të regjistruar, zgjedhin të dielën kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë në garë për këto vota në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviç.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë hapur 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime dhe procesi është tash për tash i rregullt dhe pa ndonjë vështirësi.

Votimet po ndiqen nga 464 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata të Bashkimit Evropian dhe 12 ambasadave të huaja si dhe Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Përfaqësuesja e posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë thirrje për zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme.

“Bashkimi Evropian pret që të gjithë të përfshirët në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor”, tha ajo mes tjerash në një deklaratë para votimeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës”.

Të katër komunat, janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar, kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Tarifat qenë vënë më 21 nëntor nga qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Vendosja e tarifave bllokoi edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi të heqë dorë prej tyre me gjithë trysninë nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara./VOA


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply