Intervista

Nënkryetarja e LSI, Mehmetaj: Rama do “Shtet brenda Shtetit”, ja aksioni i opozitës

Intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj: Në Samitin e Poznanit u pa qartë që vlerësimi ndaj Shqipërisë është zero dhe jo vetëm si pasojë e një qeverie të dobët e të paaftë

Intervistoi: Redjon Shtylla

Ku po shkon opozita? Për nënkryetaren e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, opozita ka vendosur ti qëndrojë besnike kauzës për një Shqipëri demokratike, ku sundon ligji dhe institucionet janë në shërbim të qytetarëve. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo ngreh alarmin kombëtar dhe akuzon se Rama po përpiqet me çdo kusht që të ndërtojë një shtet paralel brenda shtetit shqiptar. E pyetur për zgjidhjen e kësaj krize të madhe, e cila është sa institucionale, kushtetuese por edhe ekonomike dhe sociale, ajo thotë se: “Për të dalë nga kjo situatë duhet mbi të gjitha politika të veprojë atdhedashuri dhe përgjegjshmëri, që fatkeqësisht si veti nuk i kemi parë në asnjë rast të reflektohen nga Edi Rama”,-thotë Mehmetaj. Ndërsa për shkarkimin që maxhoranca kërkoj të arrijë me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ajo thotë se përpjekja është përpëitja e fundit e Edi Ramës, “për të kapur edhe të vetmin institucion legjitim e të pavarur që i ka mbetur Shqipërisë por do të dështojë edhe në këtë përpëlitje”.

Nga 1 korriku harta elektorale e të zgjedhurve vendorë ka vetëm një ngjyrë: vishnje! Përveç Kuvendit, tashmë edhe në parlamentet lokale, opozita nuk është më e përfaqësuar. Bojkoti ka rezultuar me çmim të lartë por çfarë do të ndodh më tej? A besoni se kjo rrugë e aksionit opozitar, do të ndihmojë për të dalë nga ky makth, vetëm duke qenë në rrugë, me këtë formë të të protestuarit?

Vendimet që ka marrë opozita prej shkurtit të këtij viti mund të kenë qenë ekstreme por koha provoi se ishin thellësisht të drejta. Për ne kishte vetëm dy rrugë, ose të vazhdonim të ishim fasadë e një regjimi kleptokratik që po tentonte të rikthente në Shqipëri partinë-shtet, ose të refuzonim çdo detyrë dhe privilegj personal për të nxjerrë zbuluar realitetin në të cilin gjendeshim. Të vazhdojë të luftojë pa asnjë mjet brenda institucionesh të kapura, që nëpërmjet opozitës krijonin në sy të partnerëve tanë gjasme “stabiletet”, nuk kishte më kuptim. Po ashtu si nuk kishte kuptim të merrje pjesë në zgjedhje, ku fituesit ishin të paracaktuar dhe përballja nuk do ishte mbi baza platformash dhe idesh por me banditë dhe para. Sot për opozitën nuk ka asnjë rëndësi nëse jemi apo jo në parlament apo në këshilla bashkiak, pasi edhe nëse do të ishim, ato institucione nuk do të ishin përfaqësues të interesave të qytetarëve por të banditëve dhe oligarkëve.

Pyetja nuk ngrihem më se ku është opozita sot por çfarë po ndodh me Shqipërinë? Shqipëria sot është e varfër, e pa shpresë, pa drejtësi dhe mbi të gjitha duke shkarë sërish drejt diktaturës. Opozita ka vendosur ti qëndrojë besnike kauzës për një Shqipëri demokratike ku sundon ligji dhe institucionet janë në shërbim të qytetarëve. Për sa kohë vendimet që ne marrim përkojnë me atë që duan shqiptarët dhe kjo kuptohet nga mbështetja e jashtëzakonshme që kemi patur në çdo protestë që kemi zhvilluar por mbi të gjitha nga refuzimi masiv që i bën qytetarët Edi Ramës më 30 qershor, ne do të vazhdojmë në rrugën tonë. Aksioni opozitar nuk ka qenë i limituar vetëm me protesta, ashtu si nuk do të jetë edhe në vazhdim.

Më herët Rama tha se në Shqipëri ka dy opozita, njëra ajo në Kuvend dhe tjetra është ajo e rrugës. Pas 30 qershorit, Rama kërkon dialog me JU. Duke theksuar se edhe z.Basha, në protestën e 8 korrikut, foli për marrëveshje parimore, për ëndërrën Europiane dhe për të mos e çuar vendin në kaos, duhet një ulje në tryezë për stabilitetin e Shqipërisë?

Sa i takon opozitës “fake” në Parlamentin ilegjitime, nuk vlen të bëj më komente, është parë nga kushdo se ata janë aty për ti shërbyer Edi Ramës dhe se vazhdojnë të përdoren nga ai si kukulla pa identitet. Sa i takon kaosit, kur ka vullnet dhe largpamësi, ka gjithmonë zgjidhje për çdo ngërc. Kriza nëpër të cilën po kalon vendi është e thellë, pasi nuk është vetëm krizë institucionale por edhe kushtetuese edhe ekonomike edhe sociale. Për të dalë nga kjo situatë duhet mbi të gjitha politika të veprojë atdhedashuri dhe përgjegjshmëri, që fatkeqësisht si veti nuk i kemi parë në asnjë rast të reflektohen nga Edi Rama. Për tu larguar nga clishe-të, le të kujtojmë edhë njëherë faktet me të cilat përballemi sot:

Institucione jo legjitime, duke filluar me Parlamentin për të vazhduar me Qeverinë, Prokurorinë etj; Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jashtë funksioni prej disa vitesh tashmë; Edi Rama po përpiqet me çdo kusht të ndërtojë një shtet paralel brenda shtetit shqiptar që nuk respekton ligjet por urdhrat. Përmendim këtu rastin e KQZ që nuk respekton Kushtetutën dhe Dekretin e Presidentit por vepron me urdhër të Edi Ramës;

Po ashtu, mbi tavolinë kemi fakte mbi abuzimet e shpeshta që qeveria Rama ka kryer, që nga PPP-të e koncesionet, tek bashkëpunimi me krimin e organizuar e deri tek krimet e rënda zgjedhore ku duhen përmendur dosjet 339/1 dhe 184 që flenë në prokurori por përgjimet e të cilave janë bërë publike nga “Bild”;

Votimet moniste të 30 qershorit u mbajtën në paligjshmëri të plotë duke dhunuar jo vetëm ligjet dhe Kushtetutën, por duke nxitur një konflikt të mundshëm civil. E megjithëse i vetëm në garë, edhe më 30 qershor Edi Rama nuk e mundi dot vesin e vjedhjes së votës dhe manupulimit të rezultatit. I them të gjitha këto, për të kuptuar se ulja në tavolinë me keqbërësin për të ndarë disa pazare momenti nuk do i shërbente Shqipërisë, ajo që duhet tani është një zgjidhje afatgjatë që synon të rikthejë demokracinë pluraliste e ta vendosë vendin nën sundimin e ligjit dhe Kushtetutës, ku institucionet veprojnë të pavaruara dhe mekanizmat e kontrollit funksionojnë me kapacitet të plotë.

Për brezin tim, që ka lindur dhe është rritur me togfjalëshin “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” ëndrra Europiane nuk realizohet më me dialog midis pak njerëzish dhe as duke rrezikuar demokracinë për stabilitet afatshkurtër. Ne do të jemi pjesë e Europës vetëm kur të kemi demokraci të fortë, drejtësi të barabartë për të gjithë dhe institucione që zbatojnë ligjin. Ta harrojmë se BE do të hap negociata me një vend që nuk është në gjendje as të zhvillojë zgjedhje pluraliste, e jo më me standarte. Në Samitin e Poznanit u pa qartë që vlerësimi ndaj Shqipërisë është zero dhe jo vetëm si pasojë e një qeverie të dobët e të paaftë për të paraqitur projekte por mbi të gjitha sepse qeveria është e korruptuar dhe vepron nën diktatin e interesave të një grushti të vogël njërëzish.

Unë gjykoj se ka ardhur momenti tu flasim Shqiptarëve pa doreza, të mos trembemi nga sfidat e mëdha apo nga pasojat që lufta për demokraci mund të sjellë mbi secilin prej nesh, si pjesë e klasës aktuale politike por të vendosur ti shkojmë deri në fund. Ka vetëm një zgjidhje për krizën, mbajtja e zgjedhjeve me standarte dhe hapja e rrugës për ndryshime të thella kushtetuese që e vendosin sovranin në majën e Piramidës së marrjes së vendimeve. Kur them zgjedhje nuk shqetësohem për atë që do të marrë pushtetin pas këtyre zgjedhjeve por zgjedhje të lira nga krimi e presionet e që do i hapin rrugë reformimit tërësor të vendit. Shqipëria ka plot vajza e djem, burra e gra të zotë e të mirë që mund ta drejtojnë atë drejt integrimit, mjaft më me banditë e shpërdorues.

Vulën finale e jep Gjykata Kushtetuese, atë për çdekretimin e 30 qershorit dhe shkarkimi i Presidentit Ilir Meta. Në këtë pikë ku 30 qershori për PS është e ligjshme dhe për JU janë votime të PS-së, si do të jetë fati i vendit? Duhet të marrin shembull nga fqinji ynë Greqia, që klasa politike shkoi në zgjedhje të parakohshme?

Ka shumë shembuj që mund të marrim, Greqia, Austria, Anglia etj, por ndryshimi i madh mes Edi Ramës dhe ish-kryeministrave të vendeve që përmenda më sipër është se ata nuk ja dolën të drejtonin mirë vendet dhe aletët e tyre, ndërsa Edi Rama është i përlyer me krimin e korrupsioni.

Të parët i përgjigjen popullit dhe nuk kanë frikë të dorëhiqen, ndërsa fatkeqsia kryeministër që na ra ne për pjesë e di se vetëm karrikja e kryeministrit dhe kontrolli ndaj çdo pushteti e mban atë të lirë dhe jo të pandehur e të dënur. Përpjekja për të shkarkuar Presidentin është përpëitja e fundit e Edi Ramës për të kapur edhe të vetmin institucion legjitim e të pavarur që i ka mbetur Shqipërisë por do të dështojë edhe në këtë përpëlitje.

Çdo vendim që ka marrë Parlamenti qysh prej shkurtit është nul, pasi si institucion nuk është më legjitim. Verdiktin e popullit Rama e mori qartë në 30 qershor, më shumë se 85% e shqiptarëve e refuzuan. Ai mund të përpiqet sa të mundet ta shtyjë fundit e tij por gabimet që ka bërë janë aq të rënda sa fundi nuk është vetëm afër por do të jetë edhe shumë ndëshkues.

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply