Lajme nga Kosova

S’ka prishje mes Amerikës dhe Kosovës – taksa suspendohet nëse ka kornizim të dialogut (VIDEO)

Dardan Molliqaj nga koalicioni AAK-PSD ka thënë se ky koalicion mendon se dialogu me Serbinë duhet të rifillojë bazuar në Platformën për Dialog që është miratuar në Kuvend.

“Pikënisja e koalicionit tonë është që e kemi një platformë të miratuar në Kuvendin e Kosovës me shumicën e deputetëve të pranishëm  aty, mbi 61 vota, e cila e shpreh qëndrimin e Kosovës – çka janë bërë dëmet, cilat janë kërkesat dhe çka janë synimet. Është platformë që pak a shumë e kanë pranuar të gjithë”.

“Kosova duhet të futet me këtë platformë në dialog sepse po hyri në njërën ose tjetrën rrugë, ajo rrugë bëhet edhe më dëmshme. Ka Asociacion, por ka shumë lloje të Asociacionit ashtu sikur ka shkëmbim, por ka shumë lloje të shkëmbimit. Pozicioni startues i dy partive të tjera është i dëmshëm dhe është shumë gabim mënyra qysh po e bëjnë”.

Molliqaj në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se për Kosovën nuk është pozicion i mirë në dialog me Serbinë nëse e heqë taksën menjëherë.

“Nuk mendoj që duke e heqë taksën në start krijon pozicion të mirë negociues. Të kundërtën, ata që kanë qëndrueshmëri me mbajt taksën do ta rrisin vlerën”.

“Nuk po them që duhet të jemi dogmatikë dhe iracionalë, por nuk mendoj që duhet të dorëzohemi. Tri kampet e tjera [LDK, PDK, Vetëvendosje] e kanë dorëzuar lojën në raport më Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar shumë herët”.

Por, si e sheh koalicioni AAK-PSD bashkëpunimin me partitë e tjera politike për dialogun me Serbinë?

“Nëse ne jemi të parët, ne e përcaktojmë agjendën e dialogut. Nëse ne jemi të parët, sigurisht që ne do ta imponojmë agjendën tonë. Nëse ne nuk jemi të parët, sigurisht që do ta diskutojmë kush është i pari”.

“PDK-ja përjashtohet prej bashkëpunimit tonë jo për çështjen e dialogut, por për çështjet e tjera. Insistoj që partitë politike të ndërtojnë mekanizëm që të jenë të gjithë pjesë e dialogut”.

Por, a do të ishte koalicioni AAK-PSD pjesë e ekipit të mundshëm gjithëpërfshirës të dialogut, edhe nëse do të jetë në opozitë pas 6 tetorit?

“Nëse qeveria e ardhshme e shtron rrugën drejt dhe mirë dhe nuk e qet opozitën para faktit të kryer si e kanë bërë zakonisht, po. Nëse e bëjnë gjithë agjendën dhe përcaktojnë gjithçka dhe thonë ‘eja’, sigurisht që jo”.

“Unë besoj që koalicioni jonë pashmangshëm është pjesë e qeverisë së ardhshme duke qenë i pari, por edhe nëse nuk është i pari do të jetë gjithqysh në qeverinë e ardhshme”.

Molliqaj ka folur edhe për çështjen e taksës. Ai ka thënë se taksën nuk e sheh si qëllim, por si instrument.

“Taksa, në kontekstin aktual, ka marrë vlerë tjetër prej asaj që do të duhej të kishte në çfarëdo rrethane si tarifë, embargo dhe të tjera. Taksa sot simbolizon dinjitetin përballë Serbisë që na ka nëpërkëmbë prej shpalljes së Pavarësisë”.

Ai ka mohuar se taksa 100 % ka prishur raportet me Amerikën.

“Nuk është e vërtetë se ka ndodhë prishje mes Amerikës dhe Kosovës – në këtë proces. Po qesin kërkesa, po s’ka ndonjë veprim që ka dëmtuar marrëdhënien tonë me Amerikën. Në jetën time politike kam dëgjuar deklarata shumë më të rënda prej Amerikës”.

Molliqaj ka deklaruar edhe çfarë ka kërkuar Ramush Haradinaj, që është edhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, për suspendimin e taksës.

“Ramush Haradinaj ka kërkuar që me pasë kornizim të dialogut në mënyrë që të suspendohet taksa – çka është e negociueshme, çka nuk është e panegociueshme dhe cili është rezultati që duhet të jetë final”.

Molliqaj nga PSD-ja ka insistuar se taksa nuk hiqet që të fillojë dialogu, por hiqet me një kusht tjetër.

“Taksa hiqet nëse ka të qartë një marrëveshje, ose paramarrëveshje që është tentuar të bëhet në takimin e Parisit që e cakton se rezultat është njohja, e saktëson kohën e shkurtë për arritjen e marrëveshjes dhe që e saktëson se cilat tema janë të paprekshme – nuk ka pushtet të tretë dhe ndërrim të territorit”.

“Pra, jo duke e pamundësuar krejt kompromisin, por duke ja qit tavanin kompromisin. Kisha pasë qejf që krejt partitë me e pasë këtë pozicion, dhe ky mos me qenë pozicioni ekskluziv i dikujt”.

“LDK, PDK dhe Vetëvendosje po duan të diskutojnë me Serbinë pa kornizë. Dallimi mes neve dhe tyre është të ja qesim kornizën e jashtme”.

 

 


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply