Lajme nga Maqedonia

PSE: Zgjerimi, i pari në agjendën e Këshillit Evropian


Dy liderët e dy prej vendeve më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Angela Merkel dhe Emanuel Makron do të takohen përsëri gjatë ditës, në koordinimin e fundit të pozitave të tyre para Samitit të BE-së që do të fillojë të enjten. Në mbledhjen mes dy qeveritive në Tuluz, siç raportojnë mediat e huaja, do të diskutohet për Breksitin, Turqinë dhe Sirinë por edhe për politikën e zgjerimit të BE-së, konkretisht hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Berlin, është kumtuar se fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është prioritet për Gjermaninë, transmeton Radio Evropa e Lirë. Merkel këtë temë pritet ta hapë edhe në Samitin e liderëve gjatë ditës së enjte dhe të premte. Presidenti Makron në këtë pikë përplaset me Kancelaren Merkel e cila do të ushtrojë presion t’ja imponojë për herë të fundit idenë e saj duke qenë e vendosur të kundërshtojë rezistencën franceze për t’ja lëshuar rrugën Shkupit dhe Tiranës.

Ndërkohë, lideri i Partisë Socialiste Evropiane, Sergei Stanishev, me një letër të hapur i drejtohet Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk që diskutimin rreth fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ta vendosë të parin në rend dite në takimin e shefave të vendeve anëtare. Stanishev shkruan:

Duke udhëhequr popujt e tyre, kryeministrat progresivë Zoran Zaev dhe Edi Rama kanë investuar në kapital politik, duke ndërmarrë reforma të vështira për të avancuar në rrugën evropiane… Kam frikë se dështimi për t’u shpaguar tani jo vetëm që do ta dëmtojë kridibilitetin e BE-së, por gjithashtu edhe politikën e zgjerimit dhe do të prishë procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit perëndimor gjatë periudhës që vjen. Ne nuk duhet të dëshmojmë- deklaroi Sergei Stanishev, kryetar i Partisë Socialiste Evropiane.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare një ditë më parë dështuan në përpjekjen e tyre për të gjetur një kompromis për t’u hapur Shkupit dhe Tiranës rrugën e fillimit të negociatave. Franca ishte kategorikisht kundër duke i dhënë prioritet reformimit të brendshëm të institucioneve të BE-së dhe rishikimit të procesit të integrimit. Pas saj u radhitën Holanda dhe Danimarka, megjithatë, nëse Parisi lëshon pe, të dy vendet tjera mund të ndjekin shembullin e tij, sa i takon rastit të Maqedonisë së Veriut. Holanda është deklaruar publikisht kundër fillimit të negociatave me Shqipërinë deri në plotësimin e disa kushteve shtesë. Në Bruksel të enjten dhe të premten do të mblidhen krerët e vendeve të Evropës, në një samit me fokus në Breksitin dhe situatën e fundit në Turqi dhe Siri.

Fatlume Dervishi 

 


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply