Teknologji

ALBtelecom rinovon frekuencat 900/1800 Mhz të telefonisë celulare edhe për 15 vjet

Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, Z. Ilir Zela priti në një takim përfaqësues të shoqërisë Albtelecom sh.a, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm  Z. Tahsin Yilmaz,  lidhur me dorëzimin e Autorizimit Individual për përdorimin e frekuencave 900 MHz dhe 1800 MHz, të rinovuar me afat 15 vjeçar.

Në përputhje me përcaktimet ligjore në fuqi, rinovimi i Autorizimit Individual të Albtelecom sh.a është miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues të AKEP nr. 37 datë 31.10.2019, pas miratimit të Aktit të Dakortësisë mes Grupit Ad Hoc në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Albtelecom sh.a, për rinovimin e Autorizimit Individual me çmimin 10.9 milionë Euro për frekuencat e brezit 900 MHz dhe 1800 MHz, me afat 15 vjeçar.

Sipas Aktit të Dakortësisë, pagesat e Albtelecom sh.a janë përcaktuar me dy këste, secili nga 50 % të çmimit total. Kësti i parë është shlyer nga Albtelecom sh.a në datën 31.10.2019 në llogarinë e Qeverisë Shqiptare, ndërsa kësti i dytë do të shlyhet brenda datës 31 mars 2020.

Gjatë takimit, u diskutua mbi rëndësinë e vazhdimit të përdorimit të ketyre brezave të frekuencave nga Albtelecom sh.a për pajtimtarët e kësaj kompanie por edhe si investim serioz nga Albtelecom sh.a në fushën e komunikimeve elektronike, në Shqipëri.

Gjithashtu gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të zhvillimeve teknologjike dhe situatën e tregut të komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke përfshirë edhe bllokun A1 të frekuencave të brezit 800 MHz të paalokuar (4G/4G+) dhe brezat 700 MHz, 3400-3800 MHz dhe 26 GHz të teknologjive 5G, për tu dhënë në përdorim nga AKEP operatorëve celularë në vitet në vijim.

Z. Zela dhe Z. Ylmaz mbajnë qëndrim të njëjtë që dhënia për përdorim e frekuencave të reja, nxit zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike në Shqipëri si dhe u mundëson shërbime me cilësore pajtimtarëve të operatorëve celularë, duke qenë kështu në një linjë me zhvillimet teknologjike në vendet e BE dhe rajonit. /PCWorld Albanian

Huazuar nga

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply