Lajme nga Bota

Operacioni ushtarak i Turqisë në Siri: Fituesit dhe humbësit më të mëdhenj

Në muajin që kur Turqia filloi operacionin ushtarak për të larguar forcat kurde në kufi me Sirinë, pjesa veriore e vendit gjendet në një armëpushim të padëshiruar.

Trupat turke aktualisht kontrollojnë 120 kilometra territor, midis qyteteve Tal Abyad dhe Ras al-Ain në verilindje të Sirisë.

Zona kufitare që ishte kontrolluar nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequr nga kurdët, aktualisht po patrullohet së bashku nga ushtarët rusë dhe turq.

“Fituesi më i madh ka qenë Qeveria siriane dhe Presidenti [Bashar] al-Asad. Ai mori më shumë territor në zonat kurde në vetëm disa javë sesa brenda pesë viteve”, thotë Kamal Alam, një analist ushtarak i specializuar në marrëdhëniet ndërmjet Sirisë dhe Turqisë, përcjell Telegrafi.

Operacioni i emëruar nga Turqia si “Burimi i Paqes” është përshpejtuar me një vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kishte qenë aleat me SDF-në në luftën kundër Shtetit Islamik për ta larguar atë nga kufiri me Turqinë.

Ushtria turke dhe milicia siriane thyen kufirin më 9 tetor, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdogan u zotua se do t’i dëbojë luftëtarët e SDF-së nga kufiri i saj për ta krijuar “zonën e sigurt” në mënyrë që t’i strehojë 3.6 milionë refugjatë sirianë që jetojnë në vend, përcjell Telegrafi.

Ndikimi rus

SDF është e dominuar nga Njësia për Mbrojtjen Popullore (YPG), e etiketuar nga Ankaraja si “terroriste” për shkak të lidhjeve me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një luftë 35-vjeçare brenda Turqisë.

Duke u ndier e braktisur nga SHBA-ja, SDF iu drejtua Qeverisë siriane për ndihmë menjëherë pasi SHBA u pajtua për një armëpushim me Turqinë, që do t’i lejonte forcat kurde të tërhiqeshin 30 kilometra nga kufiri.

Erdogan gjithashtu u pajtua për një marrëveshje me Rusinë, mbështetësin kryesor të al-Asadit së bashku me Iranin, në mënyrë që kjo ta mbante nën kontroll zonën që kishte pushtuar dhe që Qeveria siriane dhe forcat ruse të marrin përsipër zonën kufitare në një thellësi prej 30 kilometra. Ndërkohë, u pajtua që patrullimet e përbashkëta turko-ruse të mbikëqyrnin gjatësinë kufitare prej 10 kilometra.

Turqia dhe Rusia kryen patrullën e tyre të tretë të përbashkët këtë të premte. Sidoqoftë, Erdogan është ankuar se as Rusia dhe as SHBA-ja nuk e kanë respektuar heqjen e SDF-së nga zona.

Alam mendon se lejimi i kthimit të i forcave të al-Asadit në zonë, ka ‘çimentuar’ rolin e Rusisë si fuqi pararendëse ndërkombëtare në Siri.

“Nëse kishte dyshime se Rusia nuk ka ndikim në Siri por edhe në Lindjen e Mese, mirëpo kjo tashmë është finalizuar. Ndikimi në rritje i Rusisë në Arabi Saudite, Gji Persik dhe padyshim në Siri është i dukshëm. Turqia nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të dëgjojë Rusinë, sepse pavarësisht se është anëtare e NATO-së, kjo nuk ka pasur asnjë mbështetje që vjen nga NATO për këtë”, thotë Alam.

Ali Bakeer, një analist politik nga Ankaraja, thotë se situata “shumë e paqëndrueshme” në kufi tregon se është shumë herr për të nxjerrë përfundime nga operacioni turk.

“Turqia nuk është plotësisht e kënaqur për mbajtjen e YPG-së në zonën e saj të operimit. Ende ekziston mundësia që ata po përgatisin një betëjë ushtarake kundër Turqisë. Ende ekzistojnë pikëpyetje për saktësisht se ku janë forcat e regjimit [al-Asad] dhe çfarë mund të bëjnë. Moska dhe Ankaraja janë pajtuar për disa pika të përgjithshme, por atyre u duhet një marrëveshje teknike në terren”, thotë Bakeer.

Operacioni turk në veri të Sirisë është i treti që nga viti 2016, erdhi pasi Ankaraja thelloi lidhjet e saja me Moskën dhe distancimit nga Perëndimi.

“Tërheqja amerikane nga verilindja e Sirisë dhe ndikimi në rritje i Damaskut, Moskës dhe Teheranit në rajon, do të kërcënojnë interesat strategjike afatgjata të Ankarasë në Lindjen e Mesme”, shprehet Aykan Erdemir, një ish-deputet turk.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has të Stambollit, Mitat Celikpala tha se Turqia, Irani dhe Rusia – tre fuqitë që filluan procesin e Astanas në fillim të vitit 2017, për të gjetur një zgjidhje afatgjate për Sirinë – kishin rritur ndikimin e tyre nga një vend që gjendet i copëtuar.

“Kur filluan [procesin e Astanas], ata donin të krijonin një situatë që do të kontrollonin dhe kjo është ajo që e kanë arritur. Ata kanë krijuar një situatë ku ata kanë më shumë ndikim se Kombet e Bashkuara, për sa i përket asaj që ndodh në Siri. Në veçanti, Rusia është e lumtur sepse po punon me Turqinë, ndërsa marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në po përkeqësohen”, shprehet Celikpala, përcjell Telegrafi.

Muajin e kaluar, ligjvënësit amerikanë votuan për të sanksionuar Turqinë pas operacionit të saj në Siri dhe miratuan një rezolutë që njohin gjenocidin armen. Kjo pasoi mosmarrëveshjet që dolën nga blerja e sistemit S-400 nga Rusia, mbështetjen e Washingtonit për YPG-në dhe prezencën e klerikut Fetullah Gulen në SHBA.

Harta aktuale ndërmjet Turqisë dhe Sirisë

Makthi i diplomacisë

Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin dhe ai sirian Bashar al-Asad kanë shfrytëzuar ofensivën turke për t’u zgjeruar në verilindje, SDF është pozicionuar në jug të vendit, duke e parë si mundësi krijimin e një enklave autonome kurde.

“Ëndrrat e një autonomie kurde janë shuar. Kurdët sirianë tashmë nuk do ta kërkojnë një gjë të tillë nga Iraku. Presidenti al-Asad u tha kurdëve tre apo katër vjet më parë se amerikanët do t’i linin ata pa këtë dhe kjo po dëshmohet”, tha Alam, përcjell Telegrafi.

Brenda Turqisë, operacioni kundër SDF-së është provuar gjerësisht pasi është përshtatur në kontekstin e luftimit të PKK-së.

Rritja e mundësisë për kthimin e refugjatëve, ka rezultuar tërheqëse në një kohë kur tensionet janë rritur për praninë e tyre në Turqi.

“Pothuajse 85 për qind e popullsisë është mbështetëse e operacionit për shkak të rezultatit final. Nuk ka kundërshtim të vërtetë për operacionin. Gjithashtu, ai adreson situatën e refugjatëve në Turqi, me Presidentin Erdogan duke thënë se do t’i lejojë ata të kthehen në Siri”, tha Celikpala.

Sipas Erdemir, operacioni “korr përfitime të konsiderueshme brenda vendit” në një afat të shkurtër për Erdoganin.

Sidoqoftë, ai paralajmëroi se në planin afatgjatë, kjo “mund të jetë një makth i diplomacisë turke”. /Telegrafi/

Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply