Lajme nga Maqedonia

Autostrada Shkup-Bllacë, projekt i premtuar prej vitesh


Marrëveshja u nënshkrua sot por punimet priten të nisin në pranverë. Ndërkaq çështja e shpronësimit të tokave nuk është zgjidhur ende. Ndonëse u premtua për më shumë se një dekadë, ndërtimi i plotë i Autostradës Bllacë-Shkup do të zgjasë së paku deri në fund të vitit 2023. Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” firmosi projektin për dy kilometrat e para me kompaninë ndërtuese “Granit”, pjesë e cila do të kushtojë 12,2 milion euro nga buxheti i shtetit. Kjo punë pritet të zgjasë plotë 18 muaj, që të fillojë nga vendkalimi kufitar i Bllacës deri në mbikalimin e parë të Bllacës. Por, për të zbarkuar buldozerët në terren, së pari duhet të bëhet shpronësimi i 68 parcelave të banorëve të fshatit Bllacë.

 Ka numër të madh të njerëzve, rreth 68 parcela që duhet të shpronësohen. Vlerësoj se gjatë kësaj periudhe përderisa moti është i ftohtë edhe kjo çështje do të kryhet për të mundësuar nisjen e punimeve. Byroja për ekspertizë ligjore tani më ka bërë vlerësimin e pronave, unë planifikoj të premten të shkoj në Bllacë dhe t’ju tregoj çmimet për këtë vendim të Byrosë për ekspertizë ligjore- tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Për çështjen e shpronësimit ishte i nevojshëm riprojektimi i këtij segmenti, tha Ministri i Transportit. Goran Sugarevski shtoi se kjo kosto ia vlen meqë këmbimi tregtar me Kosovën është rritur për 30%, dhe kjo autostradë është arteria kryesore e transportit të mallrave dhe njerëzve mes dy vendeve.

 Që të mos na ndodh tregimi i njëjtë si në autostradat Kërçovë-Ohër dhe Milladinovci-Shtip ishte patjetër që të bëhet ri projektimi që të mund të fillojmë me ndërtimin sa më cilësor të projektit. Këto janë sfida që do të tejkalohen, ne qëndrojmë fuqishëm se ky projekt ka rëndësi rajonale dhe për këtë do ta realizojmë.”

Në Ndërmarrjen për Rrugë Shtetërore që para dy vitesh është formuar ekip i posaçëm për çështjet e shpronësimeve dhe këtë vit realizimi i eksproporiimeve në gjithë vendin është 233%. Si është e mundur kjo? Do të thotë se 100% u realizua gjithçka që ishte e paraparë për këtë vit dhe të gjitha lëndët e tjera të vjetra që ishin në pritje të shpronësimit nga paraardhësit tanë- tha Zoran Kitanov, Drejtor i N.P. “Rrugët Shtetërore”

Autostrada do të jetë e gjerë 27,5 metra, me dy trase me nga tri korsi prej 3,5 metra, e cila do të përshkoj një vijë tjetër nga rruga aktuale. Për segmentin e dytë të autostradës, Fondi Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka dhënë një grant prej 26,7 milion euro, kurse pjesa tjetër mbi 70 milion euro do të merret kredi prej Bankës Evropiane për Zhvillim-BERZH. Pjesa e mbetur prej 10,5 km është në fazën projektuese dhe autoritetet thanë se tenderi pritet të hapet në fillim vitin e ardhshëm, segment i cili do të zgjasë edhe 36 muaj të tjerë. Autostrada e plotë prej 12,5 km do të ketë katër tunele dhe tetë ura, dy lidhje, njëra në fshatin Bllacë dhe tjetra në Stenkovec. Nëse gjithçka shkon sipas planit, autoritetet thanë se prerja e shiritit do të bëhet pas 2023-ës, dhe udhëtimi prej Shkupit deri në Prishtinë do të zgjasë 45 minuta. Ndërkaq Kosova, nga pjesa tjetër e kufirit deri në Prishtinë për më pak se pesë vjet përfundoi ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej 55 kilometra, e cila kushtoi 600 milionë euro. Emrin e njëjtë do ta ketë edhe pjesa këndej kufirit.

 Përgatiti: Adnan Qaili

 


Source link

Add Comment

Click here to post a comment

Leave a Reply