Lajme nga Shqipëria

Operacioni “Lenovo”/ Arrestohet 34-vjeçari në Tiranë, shënjestër e vjedhjeve dyqanet e pajisjeve elektronike

TIRANË

Ndalohet një 34-vjeçar në Tiranë,  i akuzuar për tre vjedhje të pajisjeve elektronike në dyqane të ndryshme të kryeqytetit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëfilltë hetimore, finalizuan operacionin policor të koduar “Lenovo”, në kuadër të të cilit kapën dhe ndaluan shtetasin E. C., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Bazuar në provat e grumbulluara, informacionet e mara në rrugë operative dhe veprimeve hetimore të kryera, specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimit bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të tri rasteve të vjedhjes së pajisjeve elektronike (laptop) nga ky shtetas, në dyqane të ndryshme të kryeqytetit, konkretisht:

Më datë 30.12.2019 ka vjedhur një laptop, në dyqanin e një qendre tregtare;
Më datë 10.01.2020 ka vjedhur një laptop, në një dyqan në rrugën “Luigj Gurakuqi“;
Më datë 13.01.2020 ka vjedhur një laptop, në një dyqan në Rrugën e Durrësit;

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb


Source link